Memelli driblon Tërbunin, Besëlidhja kampione e merkatos së dimrit
Migen Memelli ka lajmëruar me anë të një mesazhi klubin e Tërbunit të Pukës, ekipin kryesues të Grupit A në Kategorinë e Parë, se pavarësisht se kishte arritur një marrëveshje me ekipin pukjan, ka ndryshuar mendim në momentin kur duhet të hidhte firmën, për shkak të distancës së largët mes kryeqytetit dhe Pukës. Mesazhi i ish-sulmuesit të Laçit, në pjesën e parë të këtij sezoni, Migen Memelli, ishte i shkurtër: -“Jo nuk kam firmosur sepse kam disa probleme të mija dhe duhet të qëndroj afër familjes.” Kjo ishte hera e tretë që një lojtar me peshë zyrtarizohet gjatë dimrit në radhët e Tërbunit, por vendos të largohet më pas, pa mundur të hedhë firmën, duke mërzitur disi tifozët. Kanë reaguar grupimi më i madh i tifozëve të Tërbunit, që e konsiderojnë këtë histori si “Shqipëri hesapi”, sepse nuk ndodh në vend tjetër të prishet marrëveshja, kur ajo konsiderohet e arritur nga dy palët.
Besëlidhja, skuadra kampione e merkatos së dimrit
Besëlidhja e Lezhës është rreshtuar si një kandidate e mundshme, për t’u ngjitur sezonin tjetër në Kategorinë Superiore. Skuadra lezhiane është përforcuar me elementë në të gjitha repartet e fushës dhe beson se është kompletuar si ekip, në vigjilje të pjesës së dytë të këtij sezoni. Plot shtatë blerje të reja në merkaton e dimrit, emra cilësorë dhe të njohur, të denjë për një ekip të Kategorisë Superiore. Trajneri i ri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli, është shprehur jo pak entuziast me blerjet e merkatos së janarit. Besëlidhja ndodhet në kuotën e 28 pikëve, e treta në Grupin A të Kategorisë së Parë, një pikë pas Mamurrasit që mban vendin e dytë dhe katër pikë pas Tërbunit të Pukës, që kryeson grupin.
Kastrioti
Dy përforcime të bujshme të Tërbunit të Pukës, për Kastriotin e Krujës. Po bëhen përpjekje edhe për blerjen e sulmuesit nigerian, Gabriel Steven dhe mesfushorit shqiptar, Mark Dodaj, të cilët kanë mbërritur në Krujë dhe i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit. Kastrioti pritet të zyrtarizojë blerje të tjera në orët në vazhdim.
Burreli
Burreli ka zyrtarizuar blerjet e mbrojtësit, Flamur Pjeternikaj, si dhe të mesfushorit Orges Lini. Në ditët e mbetura të merkatos së dimrit pritet të arrihet marrëveshje edhe me mesfushorin, Erbet Hoti. Me këto blerje, Burreli kërkon të bëj një paraqitje më të mirë në pjesën e dytë të garës.
Kamza
Me ekipin e Kamzës firmosën dje 5 lojtarë të rinj, duke lidhur kontrata me nga 1 vit. Kamza pretendon se është konsoliduar në mbyllje të merkatos së dimrit. Besart Peposhi (Kukësi), Ersil Ymeri (KF Vllaznia U-19), Egli Gjoni (Shkolla e Mjeshtërisë), Taulant Palekaj (Partizani B), janë rreshtuar në radhët e Kamzës, që synon të qëndrojë në Kategorinë e Parë, pasi pjesa e parë e garës nuk ishte edhe aq shumë pozitive.
Blerjet e Besëlidhjes
Bekim Erkoceviç, mesfushori i Apolonisë
Ibrahim Bejte, portieri i Kukësit
Gentian Manuka, mesfushori i Besës Kavajë
Kosta Bajic, sulmuesi i Rudar
Klodian Semina, mbrojtësi i Vllaznisë
Bojan Usumoviç, mbrojtës i Mladenovaç
Jurgen Kulli, sulmues i Tërbunit
KOHA JONË SONDAZH

