Merkatoja e dimrit, lëvizjet më të bujshme që prekin edhe shqiptarë
Ende pak orë na ndajnë nga përfundimi zyrtar i merkatos së dimrit në futboll, ku ekipet kanë mundësinë për të forcuar skuadrat e tyre për pjesën e mbetur të sezonit. Ajo që bie në sy është që lëvizjet kanë qenë të pakta dhe pjesën më të madhe në formë huazimi.
Si një ndër lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje mund të cilësojmë atë të kalimit të Joao Cancelo nga Manchester City te Bayern Munchen në formë huazimi me të drejtë blerje. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami do të luajë pjesën e mbetur të këtij sezoni të Serie A për ekipin e Sassuolos. Shqiptari largohet nga Empoli për 7 milionë euro dhe gjen në ekipin e ri trajnerin Dionisi me të cilin ka bashkëpunuar edhe më herët.
Marcel Sabitzer ka arritur marrëveshje personale me Manchester United, duke u larguar në këtë mënyrë nga Bayern Munchen. Jorginho nuk është më lojtar i Chelsea. Italiani do të luajë tashmë për rivalët e Arsenal që kanë një mundësi këtë vit të shpallen kampionë të Premier League.
Aston Villa konfirmon se Bertrand Traore është rikthyer në ekip nga huazimi te turqit e Istanbul Basaksehir. Një lëvizje tjetër nga futbollistët shqiptarë është ajo e Anis Mehmeti. Mesfushori i është bashkuar ekipit të Bristol Cityt nga Wycombe Wanderers. Vitinhas është lojtari më i ri i Olympique Marseille. Klubi francez do të paguajë 26 milionë euro që plus shtesat e çojnë çmimin e kartonit të tij në 30 milionë euro.
Lazio merr në huazim me të drejtë blerja nga Juventus, Luca Pellegrinin, i cili aktualisht luante në Gjermani për Eintracht Frankfurt. Roma gjen në Angli një mbrojtës. Diego Llorente nënshkroi kontratën për t’iu bashkuar verdhekuqve që kërkojnë me ngulm zonën Champions.