Merkel jep miratimin final, Bundesliga nis në mesin e muajit maj
Bundesliga do të jetë në gjendje që të rifillojë sezonin aktual në gjysmën e dytë të majit. Kancelarja Angela Merkel ka dhënë miratimin, pasi arriti një marrëveshje me presidentët e Landeve të ndryshëm.
“Bundesliga do të jetë në gjendje të kthehet në fushë nga mesi i majit,” njoftoi Merkel. “Nëse numri i infektimeve do të rritet, kufizimet kthehen”, paralajmëroi Kancelarja, duke mos folur vetëm për futbollin. Do të ketë gjithashtu një lloj karantine për ekipet, por nuk është e detyrueshme që të zgjasë dy javë. “Autoritetet shëndetësore do të vendosin, gjëja e rëndësishme është që testimet të bëhen rregullisht”, nënvizoi Merkel
Federata gjermane ka ftuar klubet se do të vendoset për kohën e rifillimit në një video-konferencë që do të mbahet nesër. Gjithashtu do të diskutohet edhe për Kupën e Gjermanisë. Ende nuk është përcaktuar nëse do të riniset me javën e 26-të, ku do të luhet derbi i Ruhrit.
“Ne morëm një vendim të arsyeshëm duke parë masat e sigurisë që janë të rrepta,” tha presidenti i Bavarisë Markus Soeder në konferencën për shtyp. “Lojtarët duhet t’u përmbahen rregullave. Kushdo që i shkel ato do të paguajë pasojat.
Rregullat janë të vlefshme për të gjithë, madje edhe për ata që fitojnë shumë para. Nuk është e mundur që të mund të bësh autogol siç ndodhi me një lojtar të Hertha-s gjatë ditëve të fundit”, tha Soeder duke iu referuar skandalit të videos së Kalou.
Tani mbetet të shihet se cilat do të jetë data e rifillimit të kampionatit, teksa opsioni i 18 majit duket më bindësi për momentin, por nuk përjashtohet as 22 maji. /R.Lika-Koha Jone/