Mesazhi i Canës nga Italia: Të gjithë jemi në të njëjtën skuadër, kurajo!

Ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka bërë një lidhje direkte me emisionin Studio Sprint në ABC News, me moderator Gerti Çarçani. Cana foli për situatën aktuale që është krijuar nga Koronavirusi, si dhe pati një mesazh për të gjithë popullin shqiptar.

IZOLIMI – “Po, kam pasur mundësi që të flas 2-3 herë për mediat, që nga dita kur kemi filluar izolimin. Tani ne jemi futur pothuajse në ditën e gjashtë të izolimit dhe pak a shumë, po mundohemi të kalojmë kohën në ambientin familjar dhe duke ndjekur zhvillimet çfarë po ndodh në Itali, Shqipëri, Kosovë dhe vendet ku jetojnë shqiptarët”.

FUTBOLLI – “Jo vetëm futbolli, por gjithçka që nuk ka të bëjë me sigurinë e njerëzve, sigurinë e shëndetit, patjetër që kalon në plan të dytë. Sigurisht, futbolli është një lloj magjie, spektakli, një sport i cili luhet për njerëzit, të bën të ëndërrosh, të kënaqesh, të gëzon. Sigurisht, kur është një situatë e tillë, futbolli kalon në plan të dytë”.

EURO 2020 – “Është një situatë që edhe para një muaji, ishte e paimagjinueshme. Nuk na shkonte mendja të shtyhej Kampionati Europian ose Lojërat Olimpike. Kjo për faktin se asnjë nuk e priste që të shndërrohej në pandemi dhe masat që duhet të merren, duhet të jenë në nivele globale. Tani me lëvizjen e lirë, nuk ka rëndësi kush shfaqet, pasi një epidemi shndërrohet në pandemi shumë shpejt. Botërori, Europiani dhe Lojërat Olimpike, bëjnë që të lëvizin miliona njerëz dhe është e vështirë për të parashikuar çfarë do të ndodhë”.

MESAZHI – “Unë kam thënë 2-3 herë mesazhe për mediat. Këtu duhet të bëhet diçka e koordinuar, sepse secili, pavarësisht se është i lidhur me familjen e tij, të afërt, pastaj bizneset, të gjitha, kalojnë në plan të dytë. Të gjithë jemi në të njëjtën skuadër, secili duhet të ketë frikë për prindërit e tij, gjyshërit e tij, fëmijët, vëllezërit. Është një frikë e madhe, virusi mund të kalojë zinxhir. E vetmja mënyrë për të evituar kontaktet, është të rrimë sa më shumë në shtëpi. Nëse nuk rrimë në shtëpi, do të kalojmë në gjendje kolapsi. Kurajo të gjithëve”, tha Lorik Cana.

Mesazhi i Canes nga Italia: Te gjithe jemi ne te njejten skuader, kurajo! | ABC News Albania

/abcnews.al

SHKARKO APP