Messi dhuron spektakël te Inter Miami, shënon dy gola … e gjysmë
Lionel Messi vazhdon të dhurojë spektakël në MLS dhe të tregojë se mbetet një lider absolut në prag të Botërorit 2026. Ylli argjentinas ishte protagonisti kryesor në fitoren dramatike 5-3 të Inter Miami ndaj Cincinnati, në një sfidë plot emocione dhe gola.
Kapiteni i Argjentinës realizoi dy gola dhe ishte shumë pranë një tregolëshi, në një tjetër mbrëmje ku tregoi klas dhe instinkt të jashtëzakonshëm para portës.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 24-t, kur një tentativë për asist nga Rodrigo De Paul shkaktoi konfuzion total në mbrojtjen e Cincinnati. Messi përfitoi menjëherë nga gabimi dhe me qetësinë që e karakterizon dërgoi topin në rrjetë për golin e avantazhit.
Në pjesën e dytë, bashkëpunimi “argjentinas” mes De Paul dhe Messit solli edhe golin e dytë personal për numrin 10. Mesfushori krosoi saktë nga krahu i djathtë, ndërsa Messi goditi në qendër të zonës për të rikthyer baraspeshën në 2-2.
Në fundin e sfidës, Messi ishte shumë pranë “hat-trick”-ut. Pas një pasimi nga Mateo Silvetti, ai goditi me të djathtën duke gjetur shtyllën, ndërsa topi më pas u përplas në shpinën e portierit Roman Celentano dhe përfundoi në rrjetë. Fillimisht goli iu dha Messit, por më pas u regjistrua si autogol i portierit.
Megjithatë, statistikat e “Pleshtit” mbeten të jashtëzakonshme. Messi ka shkuar në kuotën e 11 golave këtë sezon me Inter Miami, ndërsa ka dhuruar edhe katër asistime.
Pak javë para Kupës së Botës 2026, Messi vazhdon të japë sinjale të forta se është ende vendimtar dhe dominues në fushë. Me dy golat e fundit, legjenda argjentinase ka arritur në 909 gola në karrierë, duke vazhduar të shkruajë histori në futbollin botëror.

KOHA JONË SONDAZH

