Messi gati për fillimin e Botërorit, Argjentina e nis e “plagosur” nga dëmtimet
Kombëtarja e Argjentinës po hyn në fazën finale të përgatitjeve për Kupën e Botës, teksa do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore ndaj Islandës në Shtetet e Bashkuara. Kampionët në fuqi synojnë të mbrojnë titullin botëror dhe stafi teknik po tregon kujdes maksimal me gjendjen fizike të lojtarëve.
Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri Lionel Scaloni konfirmoi se kapiteni Lionel Messi do të jetë në dispozicion për ndeshjen, por aktivizimi i tij do të jetë i kufizuar vetëm në disa minuta.
Sipas Scaloni-t, vendimi është marrë për të shmangur çdo rrezik fizik para fillimit të turneut, ndërsa stafi teknik po monitoron me kujdes gjendjen e yllit argjentinas për të përcaktuar ngarkesën e duhur në fushë.
Nga kampi argjentinas kanë ardhur edhe lajme pozitive, pasi disa futbollistë si Nico Paz, Gonzalo Montiel dhe Nahuel Molina janë rikthyer në gjendje të mirë fizike dhe janë gati për të konkurruar për një vend në formacion.
Trajneri synon të testojë sa më shumë alternativa para se të vendosë përfundimisht mbi skuadrën, veçanërisht në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku konkurrenca për një vend titullari mbetet e fortë.
Megjithatë, jo gjithçka është pozitive në kampin e “Albiceleste”. Sulmuesi Julián Álvarez ende nuk ka arritur formën optimale, ndërsa Leandro Paredes nuk është integruar plotësisht në stërvitjet me grupin.
Më i rëndë është lajmi për mbrojtësin Lisandro Balerdi, i cili ka pësuar një dëmtim që i ka dhënë fund sezonit ndërkombëtar dhe e ka përjashtuar nga pjesëmarrja në Kupën e Botës.
Scaloni pranoi se ngarkesa e madhe e ndeshjeve në fund të sezonit e ka bërë të vështirë që të gjithë lojtarët të mbërrijnë në turne në formën e tyre më të mirë.
KOHA JONË SONDAZH

