Messi i jep lamtumirën e fundit të atit, ceremonia mortore nën masa të forta sigurie

Momente të trishta për Lionel Messin dhe familjen e tij. Kapiteni i Argjentinës i ka dhënë lamtumirën e fundit babait të tij, Jorge Messi, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare.

Ceremonia mortore u zhvillua në rrethin familjar, në varrezat “El Prado”, në periferi të Rosarios, në provincën Santa Fe. Për shkak të situatës së ndjeshme, ceremonia u zhvillua nën masa të forta sigurie, me autoritetet lokale që morën të gjitha masat për të garantuar privatësinë e familjes.

Lionel Messi udhëtoi me avion privat nga Shtetet e Bashkuara drejt Argjentinës të shtunën në mbrëmje. Me të ishin bashkëshortja, Antonela Roccuzzo, dhe tre fëmijët e çiftit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në ceremoninë private morën pjesë edhe nëna e Lionelit, Celia Cuccittini, si dhe vëllezërit dhe motra e tij, Matias, Rodrigo dhe Maria Sol.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për të shmangur praninë e publikut dhe mediave pranë familjes, parku “El Prado” u mbyll për vizitorët. Megjithatë, lajmi nuk i mbajti larg tifozët, të cilët u mblodhën pranë zonës së varrezave dhe në aeroportin e Rosarios për t’i shprehur mbështetjen një prej figurave më të dashura të futbollit argjentinas.

“Fuqia, Leo. Të duam”, ishte një prej mesazheve të shkruara në pankartat e tifozëve, në një tjetër dëshmi të lidhjes së fortë që Messi ka me vendin e tij.

Mbështetja erdhi edhe nga institucionet lokale. Kryetari i Rosarios, Pablo Javkin, shprehu ngushëllimet për familjen Messi dhe konfirmoi se strukturat e qytetit ishin angazhuar për të garantuar sigurinë dhe qetësinë gjatë ceremonisë.

Jorge Messi ishte një figurë kyçe në rrugëtimin e djalit të tij drejt majës së futbollit. Ai e shoqëroi Lionelin që në hapat e parë dhe luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e karrierës së tij, që nga Rosario e deri në skenat më të mëdha të futbollit botëror.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?