Messi mbush 39 vjeç, Argjentina i dërgon urimin special: Ti ndryshove historinë e futbollit!
Argjentina po feston ditëlindjen e 39-të të legjendës së futbollit botëror, Lionel Messi. Kapiteni i kampionëve të botës ka marrë urime nga e gjithë bota e futbollit, ndërsa homazhet më të veçanta kanë ardhur nga kombëtarja argjentinase.
Përmes rrjeteve sociale, ekipi i drejtuar nga Lionel Scaloni i kushtoi një mesazh të veçantë yllit të tij. “Gëzuar ditëlindjen, kapiten!”, shkruhej në postimin e “Selección”, shoqëruar me fotografi dhe momente historike të Messit me fanellën bardhekaltër.
Edhe mediat kryesore sportive në Argjentinë i kanë kushtuar hapësirë të gjerë kësaj dite të veçantë. Gazeta sportive Olé u bëri thirrje tifozëve të shprehin dëshirën e tyre duke pyetur: “Çfarë dhurate do t’i bënit Leos?”.
Nga ana e tij, Messi publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqet duke u stërvitur intensivisht në palestër, duke treguar se vazhdon të përgatitet me përkushtim maksimal edhe në moshën 39-vjeçare. Në sfond të videos dëgjohet kënga “Tierra de Campeones” (Toka e Kampionëve), e interpretuar nga një grup muzikor argjentinas.
I konsideruar si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Messi vazhdon të jetë simboli i krenarisë kombëtare për Argjentinën. Shumë tifozë dhe media e cilësojnë atë si “njeriun që ndryshoi historinë e futbollit botëror”, falë trofeve, rekordeve dhe suksesit të jashtëzakonshëm me klubet dhe kombëtaren.
KOHA JONË SONDAZH

