Messi rikthehet te goli në Amerikë, ja dedikon babait të ndjerë
Lionel Messi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e tij të parë pas ndarjes nga jeta të babait, Jorge Messi. Ylli argjentinas realizoi në barazimin 2-2 të Inter Miamit ndaj Philadelphia Union, në një ndeshje të vlefshme për Major League Soccer.
Messi kaloi skuadrën nga Florida në avantazh 2-1 në minutën e 26-të, me një goditje karakteristike me të majtën. Argjentinasi u fut drejt qendrës së zonës dhe e dërgoi topin në cepin e largët të portës, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij.
Pas golit, Messi pati një festim të përmbajtur me shokët e skuadrës, përpara se të kryente gjestin e tij të zakonshëm, duke drejtuar gishtin drejt qiellit. Këtë herë, festimi mori një domethënie edhe më të veçantë për kapitenin e Inter Miamit, pas humbjes së babait të tij më 8 gusht.
Messi nuk kishte mundur të shënonte në dy ndeshjet e para pas rikthimit nga Argjentina. Inter Miami u eliminua nga Leagues Cup pas humbjes 3-2 ndaj skuadrës meksikane León, ndërsa më pas pësoi një disfatë të thellë 4-1 në kampionat ndaj Nashville, ndeshje në të cilën Messi humbi edhe një penallti.
Barazimi ndaj Philadelphia Union e zgjat në katër ndeshje serinë pa fitore të Inter Miamit. Skuadra e drejtuar nga Javier Mascherano mbetet shtatë pikë pas Nashville, që kryeson renditjen e Konferencës së Lindjes.

KOHA JONË SONDAZH

