Messi udhëheq Argjentinën edhe në Botërorin 2026, gati për rekordin me CR7

Lionel Messi do të jetë zyrtarisht pjesë e Argjentinës në Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. I përfshirë në listën e trajnerit Lionel Scaloni, ylli nga Rosario përgatitet të marrë pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, një arritje historike që e ndan vetëm me Cristiano Ronaldon.

Me këtë paraqitje, dy ikonat e futbollit botëror do të lënë pas emra legjendarë që janë ndalur në pesë pjesëmarrje, si Lothar Matthaus, Antonio Carbajal, Rafael Márquez dhe Andrés Guardado, duke dëshmuar një jetëgjatësi të rrallë në elitën e futbollit ndërkombëtar. Për Messin, rrugëtimi nisi në Gjermani më 2006 dhe kulmoi me triumfin historik në Katar 2022.

Në moshën 38-vjeçare, kapiteni i Argjentinës nuk pritet të jetë pjesë e turneut thjesht për një lamtumirë simbolike, por për të mbrojtur titullin e fituar pas finales dramatike ndaj Francës katër vite më parë. Historia e tij me kombëtaren argjentinase ka qenë e mbushur me ulje-ngritje: nga pritshmëritë e mëdha të debutimit, kritikat e ashpra dhe zhgënjimi i finales së humbur ndaj Gjermanisë në vitin 2014, deri te kurorëzimi më 18 dhjetor 2022.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Katar, Messi shkroi histori edhe në aspektin statistikor, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Argjentinës në historinë e Botërorëve me 13 gola, duke lënë pas Gabriel Batistutën me 10 dhe duke iu afruar rekordit absolut të Miroslav Klose me 16 realizime.

Swiss Digital Mobile Reklama

Botërori 2026 pritet të jetë një tjetër skenë ku Messi mund të thellojë dominimin e tij statistikor. Ai mban tashmë rekordin për numrin më të madh të ndeshjeve të zhvilluara në Kupën e Botës (26), duke kaluar Lothar Matthäus, si edhe rekordin për minutat e luajtura dhe ndeshjet si kapiten.

Argjentina do të nisë kompeticionin si një nga favoritët kryesorë, me një skuadër të konsoliduar dhe një identitet të fortë taktik e emocional, ndërsa synimi mbetet i qartë: mbrojtja e titullit dhe përsëritja e një suksesi historik që në të kaluarën është arritur vetëm nga Italia (1934-1938) dhe Brazili (1958-1962).

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?