Migjen Basha në “udhëkryq”: Te Torino më shkatërruan!
Pas 4 viteve në Torino, Migjen Basha divorcohet me ekipin e Seria A. Mesfushori 28-vjeçar i Kombëtares Shqiptare është larguar nga skuadra “granata” pas përfundimit të kontratës por nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen. Basha në mediat italiane flet për të ardhmen që e pret, por fillimisht ndalet te rezultatet pozitive që po regjistron Kombëtarja.
– “Rikthimi im në Kombëtare varet nga shumë gjëra. U bashkova me skuadrën në Qershor dhe arrita të luaja titullar kundër Francës. Trajneri De Biasi beson shumë te unë dhe unë e kam shumë për zemër Kombëtaren. Gjithsesi, fillimisht duhet të gjej një skuadër të re sepse nga ky fakt varet edhe ecuria ime me fanellën e Shqipërisë”. Më tej, mesfushori kuqezi hedh akuza të rënda në drejtim të stafit dhe drejtuesve të Torinos pasi sezonin e fundit ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në infermieri për shkak të një dëmtimi të rëndë.
-“Nuk mund të them se nga Torino u largova në mënyrën më të mirë të mundshme. Vitin e shkuar pësova një dëmtim të lehtë por më pas gjithçka u komplikua. Më thoshin se nuk kisha asgjë serioze edhe pse te këmba kisha dhimbje të forta. Humba një vit, sepse u riktheva në fushë vetëm gjatë muajit Maj. Aty nuk janë mjekët që vendosin por stafi teknik dhe unë u besova duke shkuar përpara. Vazhdova kështu deri në momentin që pësova një dëmtim më të rëndë. Për fat të mirë u operova dhe arrita të ringrihesha në këmbë duke luajtur ndonjë ndeshje në fund të kampionatit dhe me Kombëtaren. Më vjen shumë keq sepse në Torino ndihesha mirë mes tifozëve”. Mesfushori i lindur në Lausane të Zvicrës hedh dritë mbi ofertat që kanë ardhur në adresë të tij.
“Përpara pak ditësh pata një kontakt me skuadrën e Lille por marrëveshja nuk u finalizua. Kam pasur kontakte edhe me disa klube italiane e turke. Frosinone? Do të shkoja me shumë qejf, sepse kur kam luajtur aty ia kam kaluar shumë mirë. Nuk kam asnjë problem që të qëndroj në Itali, por nuk e përjashtoj as mundësinë që të ndryshoj vend për të provuar një eksperiencë të re,” – përfundon Migjen Basha.
KOHA JONË SONDAZH

