Milan: Pas largimit të Leaos, 3 lojtarë të tjerë në dalje, por merkatoja e hyrjeve mbetet e hapur.

Merkatoja e Milanit mbetet e hapur dhe plot mundësi. Këtë e konfirmoi takimi i zhvilluar sot në mëngjes në Milano mes pronarit Gerry Cardinale, drejtuesve të tjerë kuqezi dhe trajnerit Amorim. Ndonëse zyrtarisht Rafa Leao, tashmë i transferuar te Galatasaray në Stamboll, nuk do të zëvendësohet dhe nuk pritet ardhja e një trequartisti tjetër, në të vërtetë situata mund të evoluojë ndryshe. Klubi mban të hapura disa pista, jo vetëm në sulm, por edhe në reparte të tjera. Nëse do të krijohen kushtet e duhura ekonomike, Cardinale është i gatshëm të ndërhyjë për të siguruar profile të rëndësishme, jo thjesht lojtarë për të plotësuar numrin. Në skuadër ka tashmë të rinj interesantë, të cilët meritojnë hapësirë dhe do të vlerësohen. Përforcimet e mundshme në tre ditët e fundit të merkatos duhet të bëjnë diferencën. Në të kundërt, merkatoja do të mbyllet pa lëvizje të tjera.

Roli i qendërsulmuesit është i mbuluar nga Gonçalo Ramos dhe zëvendësi i tij, Camarda. Përveç tyre, në skuadër është edhe Gimenez, i cili megjithatë nuk bën pjesë në planet e klubit dhe mund të transferohet te Porto ose një klub tjetër në ditët e fundit të merkatos. Sa i përket dy trequartistëve të formacionit 3-4-2-1, në qendër-djathtas janë Rabiot dhe Loftus-Cheek, plus eventualisht Moreira; ndërsa në qendër-majtas Pulisic, kur të jetë 100% pas dëmtimit (prej një jave stërvitet me shokët e skuadrës), Cisse dhe Saelemaekers. Numerikisht Milani është i kompletuar, por vazhdojnë të qarkullojnë me insistim zëra për një goditje të fundit në këtë repart. Emrat më të përmendur janë Omari Hutchinson i Nottingham Forest dhe Harvey Elliot i Liverpool-it. Një kuriozitet: sot Liverpool dhe Nottingham Forest u përballën në Premier League (2-2 rezultati final) dhe asnjëri prej dy lojtarëve nuk ishte në fushë, pasi të dy janë në merkato.

Në prapavijë, “çiftet” janë krijuar prej kohësh: Gila dhe Filippo Terracciano në krahun e djathtë, De Winter dhe Gabbia në qendër, Pavlovic dhe Diawara në të majtë. Tomori është jashtë projektit dhe, edhe nëse do të qëndrojë, nuk do të riintegrohet në skuadër. Në teori, edhe në këtë repart Milani është numerikisht në rregull, por nuk përjashtohet ardhja e një elementi që do të shtonte aftësinë në mbrojtjen e lartë një kundër një dhe në ndërtimin e lojës. Nuk është e lehtë të kombinohen këto karakteristika me një çmim “të përballueshëm” dhe një transferim në fazat e fundit të merkatos, por klubi mbetet i vëmendshëm ndaj mundësive. Në mesfushë, pas largimit të Ricci-t në huazim te Como dhe atij të Fofana-s, i cili ende nuk është konkretizuar por francezi konsiderohet i tepërt, Milani ka në dispozicion Modric, Jashari, Musah dhe Comotto, plus Rabiot, i cili megjithatë avancohet në pozicionin e trequartistit. Numerikisht skuadra është e kompletuar, megjithatë, nëse do të shfaqej një mundësi e mirë, duhet t’i kushtohet vëmendje asaj që mund të ndodhë. Gerry Cardinale do të qëndrojë në qytet deri në fund të merkatos dhe ka shumë angazhime jashtë-futbollistike. Kjo lë të kuptohet se, nëse nuk do të kishte asgjë për të bërë për Milanin, ai nuk do të qëndronte.

Swiss Digital Desktop Reklama

Marrë nga La Gazzetta dello Sport

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?