Milani dhe Interi fitojnë me “vuajtje”, Leao vendos rekord (VIDEO)
Milan dhe Inter bëjnë detyrën në sfidat e javës së 13-të, duke ju përgjigjur Juventusit. Kuqezinjtë fituan pa shumë probleme 2-1 në transfertën ndaj Sassuolos. Ekipi i Piolit e nisi në mënyrë fantastike ndeshjen duke shënuar vetëm pas 6 sekondash lojë. Calhanoglu shërben në zonë për Leao-n, i cili godet menjëherë. Goli i francezit është më i shpejti në historinë e Seria A, madje është rekord edhe në 5 ligat kryesore europiane.
Sassuolo kërkoi të reagonte, por Milani godet sërish me një kundërsulm të shpejt, teksa Theo del mjaft mirë në krahun e majë dhe më pas shërbeu për Saelemaekers, i cili e ka lojë fëmijësh dërgimin e “sferës” në kuadrat. Sassuolo zgjohet vetëm në fundin e ndeshjes, teksa në minutën e 88-të, Berardi arrin që të shënojë nga goditja e dënimit, i ndihmuar edhe nga një devijim i Hauge. Në minutat e fundit, rezultati nuk do të ndryshonte, me Milanin që vijon të mbetet në krye me 31 pikë.
Me të njëjtën rezultat Interi fitoi ndaj Spezia-s, por me një lojë shumë më të dobët. Zikaltrit zhvilluan një ndeshje për t’u harruar në 45-minutat e para duke vuajtur vendosjen fantastike të Ismajlit dhe të shokëve të tij, të cilët luftonin për çdo top. Në fillimin e pjesës së dytë, Hakimi pas një kundërsulmi të shpejt, arrin që të shënojë.
Goli i dha më shumë siguri Interit, që fitoi një penallti në minutën e 71-të pas një prekje të topit me dorë. Nga pika e bardhë, Lukaku arrin që të shënojë, duke mbuluar disi ndeshjen e dobët që zhvilloi. Në minutën e katërt të shtesës Spezias rihapi ndeshjen me Piccolin, por ishte shumë vonë për të kërkuar edhe golin e barazimit. /R.Lika-Koha Jone/