Milani dhe Juvja bëjnë “paqe” mes tyre në duelin për Champions
Java e 34-t e Serie A u mbyll me barazimin 0-0 në supersfidën mes Milan dhe Juventus, në një ndeshje me pak raste dhe pa spektakël në San Siro.
Pjesa e parë prodhoi pak emocione. Në minutën e 36-të, Khéphren Thuram dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion të dukshëm jashtë loje, pas një krosimi nga Francisco Conceição. Ky i fundit pati edhe një përballje të drejtpërdrejtë me portierin Mike Maignan, por u ndal nga reagimi i tij.
Në pjesën e dytë, rasti më i pastër për Milanin erdhi nga Alexis Saelemaekers, i cili goditi traversën. Ndryshimet nga trajnerët Massimiliano Allegri dhe Luciano Spalletti, me aktivizimin e Niclas Füllkrug, Christopher Nkunku, Kenan Yıldız dhe Dušan Vlahović, nuk ndryshuan rrjedhën e lojës, edhe pse sulmuesi serb ishte pranë golit të fitores në minutat shtesë.
Me këtë barazim, Milani zbret në vendin e tretë dhe ruan një diferencë prej 6 pikësh nga vendi i pestë, i mbajtur nga Como dhe Roma. Nga ana tjetër, këto të fundit janë vetëm 3 pikë larg Juventusit, duke e bërë garën për një vend në Champions League më të hapur se kurrë, katër javë nga fundi i kampionatit.
KOHA JONË SONDAZH

