Milani gati të transferojë Endrick, me një formulë të ngjashme me Brahim Diaz
Merkatoja e janarit është ende dy muaj e gjysmë larg, por Milani ka nisur prej kohësh punën për të përforcuar skuadrën. Drejtuesit kuqezi synojnë të plotësojnë boshllëqet e mbetura nga merkatoja e verës, me repartin ofensiv që duket si një nga prioritetet kryesore. Gonçalo Ramos nuk ka një zëvendësues të mirëfilltë, ndërsa Francesco Camarda po kalon një periudhë me vështirësi.
Emri që po qarkullon orët e fundit në mediat italiane dhe spanjolle është ai i Endrick, talentit brazilian të Real Madridit. Sulmuesi i ri ishte bindur nga José Mourinho që të qëndronte në kryeqytetin spanjoll për të luftuar për një vend në skuadër, por minutat e pakta të aktivizimit gjatë kësaj pjese të sezonit po e shtyjnë të shqyrtojë seriozisht mundësinë e largimit në formë huazimi që në janar.
Një skenar i ngjashëm me atë të sezonit të kaluar, kur Endrick u transferua te Lyoni për të gjetur më shumë hapësira dhe përvojë në futbollin europian. Megjithatë, këtë herë negociatat mund të kenë një tjetër dimension. Sipas raportimeve, Milani dhe Real Madridi po diskutojnë një formulë që ngjan me marrëveshjen e mëparshme mes dy klubeve për Brahim Diazin.
Formula që po shqyrtohet parashikon të drejtën e blerjes së Endrick nga Milani në qershor 2027, për një shumë prej 35-40 milionë eurosh. Në të njëjtën kohë, Real Madridi do të ruante të drejtën e riblerjes së futbollistit për një vlerë prej 45-50 milionë eurosh.
Pavarësisht interesimit të Milanit, gara për shërbimet e Endrick nuk është e mbyllur. Roma dhe Aston Villa janë gjithashtu në ndjekje të sulmuesit brazilian, duke e bërë të ardhmen e tij një nga çështjet që pritet të ndiqen me interes në prag të merkatos së janarit.

