Milani i jep lamtumirën Kupës, Leao dhe Nkunku nuk bindin në sulm
Nga euforia e kreut të renditjes te eliminimi nga Kupa e Italisë për vetëm pesë ditë: Milani përjeton përmbysjen e parë të madhe të sezonit, sërish përballë Lazios. Në “Olimpico”, kuqezinjtë dorëzojnë një nga tre objektivat kryesorë të vitit, Kupën e Italisë (së bashku me kampionatin dhe Superkupën).
Skuadra e Max Allegri-t, trajneri i njohur si “mister Kupa” dhe mjeshtër i fitoreve minimale, këtë herë pagoi shtrenjtë mbrëmjen e dobët të disa prej lojtarëve më të rëndësishëm. Leao dhe Saelemaekers, zakonisht ndër më vendimtarët, u shfaqën larg formës së tyre më të mirë, ndërsa Nkunku, edhe pse aktivizuar për rreth 30 minuta, konfirmoi edhe një herë vështirësitë për t’u integruar në sistemin e skuadrës. Francezi ishte i parëndësishëm, krejtësisht jashtë ritmit. Ndryshe nga ai, Pulisic dha sinjale pozitive në minutat e pakta që luajti.
Leao, i penguar nga mungesa e hapësirave, vuajti edhe faktin që po detyrohet të luajë në një rol që nuk është natyral për të. Madje ai humbi një rast të artë, me një goditje me të majtën shumë larg kuadratit. Ajo që po i mungon Milanit është një bomber i vërtetë, dhe me merkaton e janarit që hapet pas më pak se një muaji, mbetet për t’u parë nëse drejtori Tare do të kërkojë një zgjidhje.
Ndeshja tregoi edhe një herë se Milani ka një pankinë shumë të limituar. Jashari, i rikthyer pas një dëmtimi të rëndë, dha shenja pozitive me 80 minutat në fushë, por kjo skuadër nuk mund të bëjë pa Modric. Kroati, tashmë 40 vjeç, ka nevojë për pushim, por mungesa e tij u ndje fort, sidomos në organizim dhe qartësi taktike.
Megjithatë, për Milanin ka edhe një detaj kurioz që mund t’i bëjë të ëndërrojnë: edhe Napoli sezonin e kaluar u eliminua në të njëjtën fazë të Kupës së Italisë dhe pikërisht nga Lazio. Fundi i atij kampionati dihet mirë, dhe në Milano shpresojnë që historia të përsëritet.
KOHA JONË SONDAZH

