Milani i vetëm në krye, nga puna e palodhur e Piolit deri te gjeniu Ibrahimovic

Milani për herë të fundit e kishte parë veten në krye të renditjes së kampionatit në vitin 2012. Derbin ndaj Interit, e fitoi pas një agjërimi që zgjati nga viti 2016, teksa deri më tani i ka fituar 4 nga 4 ndeshjet që ka luajtur. Duke u kthyer pas në kohë, një nisje e tillë nuk ndodhte që nga sezoni 1995-96, kur në krye të skuadrës ishte Fabio Capello.

Tashmë në pankinë është Stefano Pioli, i cili është shumë i dhënë pas punës së tij. Punon në heshtje dhe me krenari, teksa ka nderuar një Milan ambicioz, ku çdokush është në vendin e duhur. Janë plotë 20 rezultate radhazi pozitive, një ecuri që nuk mund të jetë rastësore. Ky Milani është i aftë që të shkojë përtej pritshmërive, teksa ka në skuadër një “monstër” si Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez i ka dhënë potenc, karikim dhe shpirt sakrifice grupit të futbollistëve si brenda dhe jashtë fushave. Për të rinjtë është një mjeshtër, një figurë që shërben si pikë referimi. Për “të vjetrit”, është një shembull për t’u imituar.

Ibrahimovic të shtunën shënoi dy gola, duke u bërë futbollisti që ka shënuar më shumë nga ata që kanë kaluar moshën 38 vjeç. Gjithashtu ai dje theu edhe një tjetër rekord që mbahej nga Nils Liedholm (38 vjeç, 5 muaj e 18 ditë. Përtej moshës së shënuar në zyrën e gjendjes civile, suedezi ka treguar se asgjë nuk e tremb, madje as Covidi. Përtej besëtytnive, Ibrahimovic ka guximin që të flas për titullin. Përse jo? /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP