Milani përshpejton revolucionin/ Dy kandidatë të rinj për bankinën, Jaissle dhe Pochettino

Milani po përgatitet për një verë ndryshimesh të mëdha, teksa drejtuesit kuqezi kanë nisur punën për rindërtimin e klubit pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions League, një objektiv i humbur që është konsideruar si një zhgënjim i madh brenda ambientit të klubit.

Nën drejtimin e Zlatan Ibrahimovic dhe Massimo Calvelli, të ngarkuar nga presidenti Gerry Cardinale për të udhëhequr procesin e rindërtimit sportiv dhe organizativ, Milani po shqyrton intensivisht opsionet për trajnerin e ri.

Pas zbehjes së pistës që çonte te Andoni Iraola, i cili raportohet se po i jep prioritet negociatave me Crystal Palace dhe Bayer Leverkusen, dy emra të rinj kanë fituar terren në orët e fundit: Matthias Jaissle dhe Mauricio Pochettino.

Swiss Digital Desktop Reklama

Jaissle, 38-vjeçar, aktualisht drejton Al Ahly në Arabinë Saudite dhe ka tërhequr vëmendjen pas suksesit në futbollin aziatik, ku ka fituar dy trofe radhazi të Ligës së Kampionëve të Azisë. Në skuadrën e tij spikat edhe ish-mesfushori i Milanit, Franck Kessie, një figurë kyçe në mesfushë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana tjetër, Mauricio Pochettino paraqet një profil me eksperiencë të madhe europiane, pas aventurave në klube si Tottenham dhe Paris Saint-Germain. Trajneri argjentinas aktualisht është i angazhuar me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara, të cilën do ta drejtojë në Kupën e Botës si vend organizator.

Sipas mediave italiane, fakti që Milani po shqyrton profile kaq të ndryshme lidhet me mungesën e një vizioni të qartë final për projektin sportiv, veçanërisht në aspektin drejtues.

Një element i rëndësishëm mbetet edhe emri i Ralf Rangnick, i cili vazhdon të përflitet për një rol drejtues te kuqezinjtë. Jaissle konsiderohet prej kohësh si një nga njerëzit më të afërt të filozofisë së trajnerit gjerman, pasi ka punuar me të si lojtar te Hoffenheim dhe më vonë në sistemin Red Bull gjatë eksperiencës së tij te Salzburg.

Nëse Rangnick do të marrë një rol teknik te Milani, Jaissle shihet si një nga favoritët kryesorë për pankinën e kuqezinjve.

Vetë tekniku gjerman, në një intervistë të dhënë më herët për mediat italiane, kishte pranuar se në të kaluarën kishte pasur kontakte me Milanin dhe kishte ndjekur nga afër zhvillimet e klubit.

“Milani është një klub fantastik. Në atë periudhë ndiqja shumë ndeshje të tyre dhe ishte e veçantë t’i përballja më vonë me Salzburgun. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm”, kishte deklaruar Jaissle.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?