Milani shkatërron Spal-in e Berishës dhe kualifikohet për në çerekfinale (VIDEO)

Milani i Piolit ka nisur që të funksionojë duke dhënë edhe frytet e para të punës së bërë në javët e fundit. Kuqezinjtë kanë fituar me lehtësi 3-0 ndaj Spalit, duke siguruar një vend mes 8 skuadrave më të mira në Kupën e Italisë. Ishte një ndeshje shumë e lehtë për kuqezinjtë që përfituan nga gabimet amatoreske të mbrojtjes së Spalit, ndërkohë që Etrit Berisha u dorëzua përballë gafave të shokëve të tij.

Rezultati do të zhbllokohej që në minutën e 20-të. Krzysztof Piatek merr një top nga Bennacer dhe me një goditje të saktë përballë portierit shqiptar arrin që të realizojë. Milani nuk u mjaftua me kaq, pasi në fundin e fraksionit të parë do të dyfishonin me një gol magjik të Castillejo. Mesfushori spanjoll merr një top në zonë dhe më pas e dërgon në cepin e portës së Berishës, i cili këtë herë e shoqëroi vetëm me sy. E pamundur për të pasur një reagim, teksa hapësirat në mbrojtje ishin shumë të mëdha.

Në pjesën e dytë, skuadra e Piolit shfrytëzon më së miri një tjetër pasim të gabuar nga kundërshtarët. Theo Hernandez në minutën e 66-të lëshoi një “bombë” nga distanca duke i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës që lufton për mbijetesë. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP