Milani vuan me skuadrat e “vogla”, ka lënë 11 pikë rrugës në Seria A
Milani i këtij sezoni po jeton një paradoks të qartë: një skuadër që shkëlqen në ndeshjet e mëdha, por që shpesh humbet ritmin dhe qartësinë përballë kundërshtarëve më modestë. Kuqezinjtë kanë dhuruar paraqitje të nivelit të lartë kundër Interit, Napolit dhe Juventusit, por hasin vështirësi serioze ndaj skuadrave të sapongjitura ose atyre që luftojnë për mbijetesë, siç ndodhi edhe ndaj Genoas në “San Siro”.
Kjo javë mund të ishte ideale për t’i ushtruar presion Interit në krye të renditjes, por pas barazimit të Napolit, edhe Milani u ndal në shtëpi, duke i dhënë frymëmarrje kreut të kampionatit. Ndeshja u karakterizua nga organizimi i mirë mbrojtës i Genoas dhe pritjet vendimtare të portierit Leali. Milani arriti të barazojë me një gol të Leaos, por nuk ia doli të marrë tri pikët, ndërsa në fund u shpëtua nga një penallti e humbur e Stanciu.
Problemi duket i përsëritur: kundër skuadrave të rangut të dytë apo të tretë, gjithçka bëhet më e komplikuar. Humbja ndaj Cremoneses në javën e parë dhe pikët e lëna ndaj Parmës, Pizës dhe Sassuolos e konfirmojnë këtë prirje. Në kontrast, rezultatet në përballjet direkte tregojnë një Milan të denjë për garën e titullit.
Edhe për një trajner me përvojë si Massimiliano Allegri, gjetja e shpjegimit nuk është e thjeshtë. Mungesa e stimulit, gabimet individuale dhe mungesa e finalizimit janë elementë që vazhdojnë ta penalizojnë një skuadër që në potencial, mund të synojë shumë më tepër.
KOHA JONË SONDAZH

