Milot Rashica drejt transferimit te Dortmundi, e zbulon ish-trajneri i tij
Milot Rashica mund të luajë pjesën e dytë të sezonit në një tjetër skuadër në Bundesligë. “Sky sport” shkruan se Ismet Munishi ka zbuluar në “Duelin Sportiv” të RTV Dukagjinit se ylli vushtrrias shihet si zëvendësues i Jadon Sanchos te Borussia Dortmund. Talenti anglez me shumë mundësi do t’i thotë lamtumirë verdhezijnve.
“Milot Rashica nga disa informacione të fundit, mendoj se do të transferohet në Borussia Dortmund. Ai shihet si zëvendësues i Sanchos, i cili pritet të shitet. Miloti do të përshtatej shumë në Dortmund pasi që tashmë e njeh shumë mirë kampionatin gjerman. Është një ambient fantastik në Dortmund dhe mendoj se do të shkëlqente”, ka thënë Munishi në emision.
Kujtojmë se Munishi ishte trajneri i cili i dha Rashicës hapësirë që në moshën 16-vjeçare te Vushtrria. Rashica dhe Munishi e kanë fituar titullin kampion në Kosovë në vitin 2013. 23-vjeçari po luan prej dy sezonesh me Werder Bremen, ku erdhi pas eksperiencës te skuadra holandeze e Viteses. Kartoni i lojtarit të përfaqësueses së Kosovës vlerësohet rreth 35 milionë euro.