Milot Rashica, ylli botëror i së ardhmes
Yjet e së ardhmes në futboll, bëhen shpesh objekt lajmesh në mediat më prestigjioze në kontinent. Një e përditshme sportive më e njohura në Europë, vë bast se njëri prej tyre do të jetë edhe Milot Rashica. E përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport”, në suplementin e saj të përjavshëm ka bërë një përzgjedhje të 50 futbollistëve nën 20 vjeç, që beson se do të jenë shumë shpejt në elitën e futbollit botëror. Përzgjedhja është bërë sipas një metode të ngjashme me atë të “draftit të NBA” dhe mes emrave tashmë të njohur në arenën botërore si Donaruma i Milanit, Haliloviç i cili është blerë nga Barça dhe është huazuar te Gijon, apo Koman, figuron edhe emri i shqiptarit Milot Rashicës. Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, U-21, përfshihet në këtë mënyrë në hartën globale të yjeve të rinj të futbollit botëror.
Profilin e përshkrimit të 19-vjeçarit nga Vushtria, “Gazzetta” e nis me përshkrimin, “Një Europian si titullar me De Biasin? Është e mundur!” duke e përkufizuar Rashicën si një anësor sulmi i paparashikueshëm, i cili kalon gjithmonë kundërshtarin në duelet një për një dhe i pëlqen të orientohet drejt qendrës. Ai cilësohet edhe si novator në lojën e tij individuale. Sprinti dhe rezistenca e Rashicës vlerësohet si cilësi të nivelit të parë, ndërsa theksohet se ai i feston golat në Eredivisie me Vitesse, duke formuar shenjën e shqipes, në nder të Shqipërisë.
Një tjetër vlerësim ky për futbollistin që ka shpërthyer këtë sezon në kampionatin holandez, duke shënuar 7 gola deri tani. Rashica aktualisht është i dëmtuar dhe pritet të qëndrojë 3 javë jashtë fushe. Pak ditë më parë ai ishte protagonist edhe i një interviste për faqen holandeze “Nos.nl”, në të cilën shprehu dëshirën për të qenë pjesë e Shqipërisë në finalet e Europianit të Francës, duke deklaruar se është gjithnjë gati nëse trajneri e thërret,.
KOHA JONË SONDAZH

