Ministri Gonxhja: Lara Colturi konfirmon sezon elitar në kupën e botës në ski
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka përgëzuar paraqitjet e skiatores kuqezi Lara Colturi në arenën ndërkombëtare, duke theksuar renditjen e saj si e treta në sllallom dhe e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski për femra. Sipas ministrit, këto rezultate konfirmojnë një sezon me standarde të larta performance dhe konkurrencë të fortë në arenën ndërkombëtare.
”Këto pozicionime reflektojnë vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe nivelin e lartë të garimit mes sportisteve më të mira të botës, si edhe praninë e konsoliduar në elitën e garave të skive alpine”, thekson Gonxhja.
Këtë fundjavë u zhvilluan dy garat e radhës të Kupës së Botës për femra, të zhvilluara në Kranjska Gora të Sllovenisë. Lara Colturi u rendit në vendin e 6-të në sllallomin gjigant të shtunën, ndërsa në garën e sllallomit të së dielës nuk arriti ta përfundojë provën. Pas përfundimit të etapës së 17-të të Kupës së Botës në Ski (nga 37 etapa gjithsej), skiatorja 19-vjeçare mban vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme me 402 pikë.
Ajo ka grumbulluar 280 pikë në sllallom, ku renditet e treta, ndërsa në sllallomin gjigant ka 122 pikë. Lara Colturi kryeson renditjen e kategorisë “Yjet e së ardhmes”, e shkëputur ndjeshëm nga rivalet, duke konfirmuar perspektivën e saj si një nga emrat më premtues të skive alpine në nivel botëror.
KOHA JONË SONDAZH

