Ministri Gonxhja vlerëson boksierin Hadribeaj: Shembull i disiplinës dhe ambicies në sport
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me boksierin shqiptar Ermal Hadribeaj, pas fitores së tij të rëndësishme në Oberhausen të Gjermanisë ndaj francezit Balary Samake në sfidën “WBC World Final Elimination Fight”.
Kjo fitore e afron Hadribeajn me mundësinë për të garuar për titullin botëror të WBC-së, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij profesioniste, ku vijon të mbetet i pamposhtur. Gjatë takimit, ministri Gonxhja dhe boksieri shqiptar diskutuan mbi rrugët që duhen ndjekur për të mbështetur më shumë sportistët e disiplinave individuale, të cilët me përkushtimin dhe rezultatet e tyre përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja vlerësoi arritjet e Hadribeajt, duke e cilësuar atë si një shembull të punës, disiplinës dhe ambicies për të arritur majat e sportit profesionist. “Ermali vazhdon të mbetet i pamposhtur në karrierën profesioniste, duke qenë një shembull i punës, disiplinës dhe ambicies për të arritur majat e sportit”, shkruan Gonxhja.
Ermal Hadribeaj konsiderohet ndër emrat më të suksesshëm të boksit profesionist shqiptar në arenën ndërkombëtare, ndërsa fitorja e fundit ka rritur pritshmëritë për një përballje të mundshme për titullin botëror të WBC-së.
KOHA JONË SONDAZH

