Minuet trajnerësh drejtuar nga bosë tekanjozë!
Nga Skifter Këlliçi-
Minueti është një nga llojet tradicionale të vallëzimit që ka lindur në Francë në shekullin e 17-të, për t’u bërë pastaj popullor në botë, si polka, mazurka dhe valsi. Kaq është e vërtetë, sa minuete kanë shkruar me frymëzim edhe kompozitorë të mëdhenj, që nga Bahu dhe Beet’hoveni. Ndryshe nga kërcimet e mësipërme, minueti ka një veçori dalluese, sepse damat dhe kavalierët gjatë vallëzimit këmbejnë njeri-tjetrin. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh sot edhe në futboll, sepse vendin e këtyre çifteve, mashkull-femër, e kanë zënë …trajnerët, që, si pa të keq po këmbehen midis tyre nga një skuadër te një tjetër,dhe në vend të dirigjentëve të orkestrës janë bosët, pra padronët, ose me llagapin më modern-presidentët e klubeve dhe në rastin tonë, të klubeve të futbollit. Këmbimet bëhen herë me buzëqeshje dhe mirakandje, si në minuetet klasike, po më së shumti sipas tekave të bosëve, pra të presidentëve, që i marrin dhe i zëvendësojnë trajnerët me njeri-tjetrin, sikur këta të qenkëshin kukulla në duart e tyre…Se njëmend, siç do të shohim, edhe të tillë janë.
Le t’i ftillojmë me nge. Italiani Ançeloti, bajagi burrë i fismë, ish –lojtar dhe pastaj trajner me nam, veçanërisht i “Milanit’, ku ka fituar pa hesap kampionate e madje dy herë edhe Ligën e Kampionëve, më 2009 nuk i shkuan punët mbroth me të, ndaj një ditë u shtrëngua t’i linte shëndenë. Mori udhët e kurbetit dhe kësisoj vate te “Çelësi” i Londrës, ku na kishe qenë trajner portugezi zulmëmadh Murinjo, për të cilin do të rrëfej më poshtë.
Multimiliarderi rus Abramoviç, që vite të shkuara e ka shtënë në sqetull këtë skuadër, ka një huq të keq: kur pajton hyzmeqarë, pardon, desha të theshja… trajnerë, u namatisa tyre në vesh: “O do të sjellësh këtu kupën e kampionëve, ose prapa diellit më shkofsh!”
Na u rrek e rrek i gjori Ançelot, por për dy sene radhazi, (2009-2011), na i solli bosit të vet vetëm kurorën e kampiones së Anglisë, sepse nuk i eci me atë të mallkuar Kupë të Ligës së kampionëve, ose, si i thonë shkurt, Champions Ligë, ku mbeti në gjysmë të rrugës. Dhe fatligësisht i lau duart me Abramoviçin. Por nuk mbeti pa punë, ngaqë na e mori Pari Sen Zhermeni që ka për bos arabin Khelaili, nga Katari. Por edhe ky i mbrami, si Abramoviçi, i la teslim porosinë: “O Ligën e kampionëve, o gjej vrimë ku të futesh!”.
Edhe këtu për dy vjet, (2011-2013). U rrek zavalli Ancelot, me tërë atë tabor lojtarësh të huaj, ku në krye na qenkej boshnjako-suedezi Ibrahimoviç por, aha, kot së koti… Dhe kështu e humbi davanë …
Por, gjithsesi nuk mbeti me gisht në gojë, sepse, sapo nga Parisi hodhi sytë në Madrid, veç e kur ia bëri më sy Peresi, pra, bosi i “Realit” me nam, që të vinte atje, duke i lënë të nënkuptonte se portugezi gjynahqar, Murinjo, që e kishte pajtuar si trajner nuk i paskësh sjellë “La Deciman” pra të dhjetën kupë të Europës, si i thonë në… spanjisht, që deri atëherë kishte fituar “Reali”, edhe pse kushtonte sa qimet e kokës, mbi 600…milionë euro dhe ku 7 mbi 11 lojtarët e parë ishin nga tërë nahitë e botës mbarë.
E fitoi më 2014 atë kupë Ançeloti, por një vit më pas nuk kërreu as kampionat, as kupë spanjolle dhe, daha më ters, dhe as kupën e Ligës së Kampionëve!…Pra, mbeti me gisht në gojë. Dhe bosi Peres, si Murinjos, i dha duart edhe këtij.
Mbeti pa punë zavalli Ançelot, por me 10 milionë euro pagë në vit, sepse kështu zografiset në atë që quhet kontratë, deri sa të gjejë punë tjetër.
Dhe bash pas një viti që është mbushur e kapërcyer, Anceloti është pajtuar trajner te “Bajerni” i Mynihut dhe në qershor do të marrë këtë skuadër për frerësh , pasi t’ia dorëzojë spanjolli Guardiola, që po atë muaj vete te “Mancester Siti” , ku trajner është kileni Pelegrini, i cili, nga ana e tij do të vejë… akoma nuk dihet se ku!…Por sipas pëshpësheve të gazetarëve të përtej La Manshit, këtyre qerratallarëve të mprehtë që janë për t’u vrarë me bukë në gojë, siç thotë populli, mund të shkuarkëka te “Juventusi” i Torinos, ku është trajner italiani Alegri, i cili nga ana e tij, gjithnjë sipas gazetarëve anglezë, do të lërkëka “Juventusin ”, për të zënë vend në krye të “Çelsit”…
Tek e mbramja, të vijmë te Murinjo, që përmenda më sipër. Sot për sot është “i papuni” më i kamur në botë, sepse, si Ançeloti, edhe ai çdo muaj rras në xhepa as më shumë dhe as më pak por 10 milionë euro në vit…I papunë, jo për sebep të ndonjë krize ekonomike, por ngaqë bosi i klubit anglez “Çelsi”, multimiliarderi rus, Abramoviç, e pushoi jo pa hak Murinjon, ose siç njihet në planetin e futbollit me nofkën “i veçanti”,pra, me demek, më i miri nga të tërë, kuptohet në botë, sepse me huqet e tij plot zarar ia pruri shpirtin në majë të hundës. Terbietsëz, i panamuz, huqemadh, Murinjo i bëri lëmsh e li punët te “Çelsi”, sa kjo deli skuadër, kampione në senenë e kaluar, bitisi andej nga shkallët e fundit të renditjes dhe nuk e ngriti që nuk e ngriti kryet, duke pësuar humbje pas humbjesh të qederosura… Por nga Londra, ku vazhdon të bëjë jetë përrallore, të lezetuar me pushime nga Brazili, në Gjermani dhe nga Gjermnia në Kinë, Murinjo e ka hedhur vështrimin te “Mancester Junaitedi” dhe ka zënë sevda me të… Dhe me gjasë, edhe këtë radhë, sipas gazetarëve të përtej La Manshit, i ka zënë pritë holandezit Van Gaal, i cili, meqë ka mbi shpatulla rrumbullak 67 vite, mbase do të marrë një skuadër nga vendi i tij, i tulipanëve, ose do ta shohim në stadiume si komentator sportiv, në mos në shkallët e tyre, thjesht si shikues. A nuk ngjajnë këto ecejake trajnerësh mu si këmbimet e çifteve të minueteve të shekujve të shkuar, me te vetmin ndryshim se ndodhin në shekullin tonë, dhe në fushat e topkëmbës, sipas trilleve të bosëve miliarderë që kanë në duar fatet e tyre dhe të kësaj loje në mbarë botën?
KOHA JONË SONDAZH

