Miqësorja e parë e vitit, më 26 mars në Austri
Zyrtare. Ashtu siç ishte paralajmëruar pak ditë më parë Kombëtarja Shqiptare miqësoren e radhës do ta zhvillojë ndaj Austrisë. Lajmi është bërë publik nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila dha dhe detaje rreth ndeshjes së parë miqësore të këtij viti për kuqezinjtë që shënuan kualifikimin historik në eliminatoret e Kampionatit Europian, Francë 2016.
FSHF bëri të ditur se pas marrëveshjes me homologët e tyre austriakë, ndeshja do të zhvillohet më 26 mars, në stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës, ora 17:30. Austria është një nga ekipet kombëtare, që ka siguruar të drejtën për të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian në Francë dhe ndodhet në Grupin F, së bashku me ekipet e Portugalisë, Islandës dhe Hungarisë.
Në historinë e përballjeve skuadra kuqezi është ndeshur 6 herë me Austrinë, duke u mundur në të gjitha takimet. Pas këtij takimi, kuqezinjtë kanë planifikuar edhe një miqësore tjetër dhe janë në bisedime për të gjetur një kundërshtar tjetër të fortë.
KOHA JONË SONDAZH

