Modeli matematikor parashikon fituesin e Botërorit 2026: Spanja favorite për trofeun
Një model matematikor i zhvilluar nga Goldman Sachs ka nxjerrë Spanjën si favoriten kryesore për të fituar Kupën e Botës 2026, duke i dhënë kombëtares iberike 26 për qind probabilitet për të ngritur trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Ndryshe nga vlerësimet tradicionale të kompanive të basteve, analiza e institucionit financiar bazohet në një simulim statistikor të avancuar, i ndërtuar mbi rreth 20 mijë ndeshje ndërkombëtare jo-miqësore të zhvilluara që nga viti 1978.
Modeli përdor një sistem të ngjashëm me metodën Elo, e njohur në shah për matjen e forcës së lojtarëve, duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh si rezultatet historike, forma aktuale e skuadrave, efikasiteti sulmues, prania e golashënuesve kryesorë dhe avantazhi i fushës.
Pas Spanjës, lista e favoritëve vijon me Francën, së cilës i jepet një probabilitet prej 19 për qind për triumf, e ndjekur nga Argjentina me 14 për qind, Brazili me 8 për qind dhe Anglia me 5 për qind.
Sipas simulimit, Spanja favorizohet nga forma e mirë, renditja e lartë Elo dhe efikasiteti në repartin ofensiv. Ndërkohë, Argjentina penalizohet nga ajo që modeli e konsideron “rënia e kampionit”, një prirje statistikore që shpesh prek skuadrat që mbrojnë titullin botëror.
Modeli parashikon gjithashtu disa përballje spektakolare gjatë turneut, përfshirë një duel të mundshëm mes SHBA-së dhe Iranit në fazën e 1/16-ave, si dhe një supersfidë në çerekfinale mes Argjentinës dhe Portugalisë.
Një skenar i tillë mund të sjellë për herë të fundit përballë dy ikonat e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Sipas parashikimit të Goldman Sachs, finalja e Botërorit 2026 do të luhet mes Argjentinës dhe Spanjës, me iberikët që pritet të triumfojnë dhe ta rikthejnë trofeun në Evropë.

KOHA JONË SONDAZH

