Moggi: Ky Juventus nuk është për titull, nuk ka qendërsulmues!
Luciano Moggi, një nga figurat më të njohura të futbollit italian dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka analizuar barazimin pa gola mes Juventusit dhe Milanit në “Allianz Stadium”. Në një koment për gazetën Libero, ai nuk është kursyer ndaj asnjërës skuadër, por ka qenë më kritik ndaj bardhezinjve.
“Ndeshja Juve–Milan nuk ishte aspak e këndshme. Përfundoi 0-0 mes fishkëllimave të publikut. Juventus u përqendrua më shumë në prishjen e lojës së Milanit sesa në krijimin e lojës së vet”, – shkroi Moggi.
Sipas tij, Milani ishte më pranë fitores: “Kuqezinjtë mund të kishin marrë një fitore me peshë, por e humbën për shkak të episodeve, si penalltia e gabuar nga Pulisic. Nëse do të ishte një ndeshje boksi, Milani do të kishte fituar me pikë, por në futboll fitohet me gola. Edhe Leao humbi dy raste të pastra, ndaj barazimi është ndoshta rezultati më i drejtë.”
Moggi theksoi se problemi më i madh i Juventusit mbetet mungesa e një qendërsulmuesi në formë: “Te Juve vazhdon problemi i sulmit. Openda dhe David janë për t’u harruar për momentin, ndërsa Vlahovic nuk po shënon më, madje as kur futet si zëvendësues.”
Ish-drejtuesi i njohur shtoi se, megjithëse jemi ende në fillim të sezonit, bardhezinjtë nuk japin sinjale të një skuadre që mund të luftojë për titull: “Është ende herët për gjykime përfundimtare, por për mua kjo Juve nuk është për titull. Milani, përkundrazi, mund të bëhet pretendent serioz, por duhet të tregojë më shumë guxim e personalitet.”
KOHA JONË SONDAZH

