
Ish-mbrojtësi dhe trajneri i Juventusit, Paolo Montero, ka komentuar situatën aktuale të bardhezinjve, duke folur për mentalitetin e skuadrës, punën e Luciano Spallettit, si dhe për disa prej futbollistëve që kanë spikatur këtë sezon.
Në një intervistë për gazetën italiane Tuttosport, Montero theksoi se Juventusi duhet të rikthejë mentalitetin fitues dhe të kuptojë peshën e fanellës që mban. Sipas tij, skuadra duhet të besojë më shumë te vetja dhe të mos kënaqet me një qasje tepër mbrojtëse në fushë.
“Duhet të kuptosh objektivin dhe arsyen përse lufton. A e kanë të qartë këtë lojtarët e Juventusit? Shpresoj që po. Gjatë asaj jave takova disa djem shumë të mirë, të cilët u sollën në mënyrë të shkëlqyer. Locatelli, Bremer dhe Cambiaso, i cili ishte pak më i turpshëm, por pata mundësi të flisja me ta.
Më mirë të humbas 5-0 sesa të luaj me atë që ne në Uruguai e quajmë ‘taktika e lakuriqit të natës’, ku të gjithë qëndrojnë të kapur pas traversës. Ne jemi Juventusi dhe duhet të dalim në fushë për t’i sulmuar kundërshtarët. Edhe stadiumi ndonjëherë ndikon. Ka momente kur duhet të qëndrosh pranë skuadrës. Përndryshe, është shumë e lehtë të jesh me ekipin vetëm kur fiton”, theksoi uruguaiani.
Një pjesë të veçantë të intervistës, Montero ia kushtoi Edon Zhegrovës, për të cilin foli me superlativa. Ish-mbrojtësi i Juventusit e cilësoi sulmuesin kosovar si një futbollist me tipare braziliane, duke nënvizuar se duhet të marrë më shumë minuta në dispozicion.
“Zhegrova më pëlqen. Është një lojtar i tipit brazilian. Tani, sa herë që aktivizohet, duhet të luajë më shumë minuta. E kam parë kur ishte në Francë. Duhet durim”, u shpreh ai.
Për të ilustruar rëndësinë e durimit me lojtarët e rinj, Montero solli në vëmendje edhe shembullin e Zinedine Zidane, i cili në fillimet e tij në Torino nuk ishte vlerësuar plotësisht.
“Kur Zidane mbërriti në Torino, Juventusi donte ta largonte që në janar. Pastaj pamë se çfarë u bë. Nuk është e lehtë të përshtatesh me ndryshimet. Fanella e Juventusit ka peshë. Ne duam gjithçka menjëherë, por Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, shtoi ai.
I pyetur se si do të përballej me Zhegrovën nëse do ta kishte kundërshtar, Montero pranoi se driblimet dhe shpejtësia e tij do ta vështirësonin ndjeshëm punën e një mbrojtësi.
“Do të ishte e vështirë. Kur Zhegrova vjen drejt teje, bëhet gjithçka e ndërlikuar. Gjithmonë duhet të shohësh topin dhe jo lojtarin. Nëse e bën këtë, ndonjëherë arrin ta fitosh topin. Përndryshe, kundërshtari të kalon”, tha Montero.
