Monza pistë historike, Ecclestone: Formula 1 duhet paguar!
Pista e Monza-s, nga më spektakolare dhe legjendaret e Formula 1 për gati një shekull rrezikon të mos jetë më pjesë e kalendarit. Paralajmërimin e jep Bernie Ecclestone, 84-vjeçari që menaxhon kampionatin e Formula 1. – “Fitoria e Ferrarit tregoi se Mercedes është i thyeshëm. Kampionati këtë vit më duket më emocionues. Do të argëtohemi edhe në Bahrein ku Ferrari do të tentojë sërish. Puna e tyre vlen për t’u vlerësuar, pasi kokëkuqja është sërish kompetitive”. Por ndërkohë ç’po ndodh me Monza-n? Shqetësimi nuk është vetëm i italianëve, por i çdo tifozi të Formula 1. Ndër vite në këtë pistë janë shuar legjenda e janë ngritur yje të automobilizmit. Ecclestone e ka një shpjegim mbi këtë situatë. – “Është shumë e thjeshtë. Dy vjet më parë patëm një akord me një person, që sot nuk është më përgjegjës i Autodromit. Për Monzan do të paguhej njëlloj si në pistat e tjera në Europë, 20 milionë euro për garë. Me një shtrëngim duarsh, gjithçka ishte në rregull. Çfarë ndodhi më pas? Nuk e di. Ka kontratë edhe për këtë vit, por jo për vitet e tjera. Ulje të pagesës nuk mund të ketë, ashtu siç nuk ka për garën në Spa, apo diku tjetër. Po, Monza është Monza, është tradita, Italia e Ferrari në mes, por në Formula 1 paguhet”. Në mungesë të parave që kërkon Ecclestone, pista e Monzas do të ketë të njëjtin fat ashtu siç ndodhi me Çmimin e Madh të Gjermanisë, që për herë të parë që nga viti 1955, nuk do të jetë pjesë e kalendarit të Formula 1.
KOHA JONË SONDAZH

