
Jose Mourinho ka dërguar një mesazh të qartë në dhomat e zhveshjes së Real Madridit në prag të sfidës me Leipzigun në Champions League. Trajneri portugez theksoi se askush nuk e ka vendin e garantuar në formacion, ndërsa foli edhe për situatën e Vinicius Junior dhe konkurrencën me talentin e ri Yan Diomande.
Në konferencën për shtyp para përballjes europiane, trajneri i madrilenëve u pyet për momentin jo të mirë që po kalon sulmuesi brazilian, i cili do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të La Ligës për shkak të pezullimit. Ndërkohë, paraqitjet e Diomandé kanë shtuar konkurrencën për një vend në repartin ofensiv.
Mourinho ishte i prerë në përgjigjen e tij, duke theksuar se te Real Madridi rëndësi ka vetëm ajo që një futbollist jep në fushën e lojës.
“Për mua, asnjë lojtar nuk është i paprekshëm. I paprekshëm është vetëm stema e klubit. Nuk ka rëndësi statusi, shiriti i kapitenit apo shuma e paguar për të transferuar një futbollist. Ajo që e bën një lojtar të paprekshëm është rendimenti i tij në fushë”, deklaroi portugezi.
Megjithatë, trajneri konfirmoi se Vinicius do ta nisë si titullar sfidën kundër Leipzigut, pa zbuluar nëse braziliani do të zërë vendin e Diomandé, i cili do të përballet me ish-klubin e tij.
“Vinicius është një anësor i majtë. Mund ta përdor në pozicione të tjera në situata të caktuara, por pozicioni i tij natyral është ai. Sa i përket Diomandé, ai nuk ka pse ta dijë paraprakisht nëse do të luajë apo jo”, u shpreh Mourinho.
Special One pranoi gjithashtu se skuadra e tij ka ende shumë për të përmirësuar për të arritur nivelin që ai kërkon, duke nënvizuar se nuk është një trajner që refuzon të ndryshojë idetë e tij.
