Muhamed Ali ishte më shumë se vetëm sport…
Nga Heiko Roloff, Bild
Lajmi i ka tronditur të gjithë ata që e nderonin.
Muhamed Ali e humbi betejën e fundit.
Legjenda e boksit vdiq në moshën 74-vjeçare në një spital në Arizona, SHBA.
Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i familjes.
Ali ishte dërguar në spital me probleme në frymëmarrje.
Ali ishte më i madhi.
Historia e jetës e këtij atleti të jashtëzakonshëm është më shumë se sport.
Dhe nuk ka asgjë të përbashkët me historinë e ‘boksierit hollivudian’, Roki të aktorit Sylvester Stallone.
Njeriu, emri i vërtetë i të cilit ishte Cassius Clay, ishte një figurë politike dhe historike.
Ai ishte një luftëtar i të drejtave të njeriut dhe një shembull për miliona afro-amerikanë.
U konvertua në mysliman në vitin 1965 dhe e quajti veten Muhamed Ali.
Amerika u tërbua nga zemërimi në atë kohë.
Ai refuzoi më pas që të bëhej pjesë e konfliktit të SHBA me Vietnamin, iu ndalua profesioni dhe humbi miliona nga karriera.
Edhe kjo do të thotë diçka për të vetëshpallurin “më i madhi” dhe “më i bukuri”.
I martuar katër herë, ai solli në jetë minimumi tetë fëmijë dhe adoptoi një djalë.
Pasi familja e tij lajmëroi të shtunën se fundi ishte pranë, e bija Laila, 38 vjeç, postoi një foto të babait të saj.
Ai ishte me mbesën, Sydney.
Laila Ali, një boksiere profesioniste, shkruante: E adhuroj këtë foto.
Cassius Marcellus Clay Jr. lindi në vitin 1992 në Louisville.
Babai i tij ia kishte vënë emrin sipas një personi që luftonte për heqjen e skllavërisë në SHBA.
Rrugën e boksit e nisi në vendlindjen e tij, pasi një polic e kishte parë se si 12-vjeçari luftonte ashpër me një hajdut për biçikletën e tij.
Gjashtë vite më vonë, amerikani fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Romë.
Pas kësaj, ai u nda nga trajneri që i solli suksesin.
“Më ka ardhë në majë të hundës duke larë enët dhe fshirë dyshemenë në palestrën e tij”.
Fituesi olimpik punësoi Angelo Dundee si trajner dhe u bë profesionist.
Në një kohë të shkurtër e kishte arritur qëllimin: Kurorën e botës në peshat e rënda.
Bota e boksit e vuri re shpejt se goja e tij ishte po kaq e shpejtë sa këmbët dhe grushtat.
Ai tallej me kundërshtarët e tij: “Shumë i vogël për mua, shumë i shëmtuar, një dështak”.
Sa më i famshëm të bëhej, aq më e mprehtë i bëhej gjuha.
Për shkak se nuk ishte vetëm një boksier i jashtëzakonshëm, ai ishte një gjeni marketingu, adhuronte famën, kamerat dhe publikun.
Pas ndeshjes me Joe Frazier, ai pagoi një çmim të lartë.
Frazier e kishte goditur vazhdimisht me të majtën e tij në kokë.
“Kam qenë shumë pranë vdekjes”, kujtonte Ali.
Madje lavdëronte kundërshtarin: “Ai është më i madhi pas meje”.
Kampioni vazhdoi të boksonte përkundër këshillave të mjekëve.
Beteja e vështirë në fakt nisi kur e la boksin.
Në fillim të viteve ’80, mjekët e diagnostikuan me Parkinson.
Ai u sëmur kaq shumë, sa mezi fliste.
Një goditje e fortë për një njeri që i adhuronte fjalët.
U tërhoq plotësisht nga publiku dhe u martua në vitin 1986 me gruan e tij të katërt, Yolanda Williams.
Ata njiheshin që në vitin 1964, kur edhe ajo ishte konvertuar nga e krishterë në myslimane.
Në vitin 1996, legjenda e sportit u shfaq papritmas përpara kamerave me flakën olimpike në Atlanta.
Në atë kohë, armiku i tij Frazier, teksa e shihte Muhamed Ali duke u dridhur, tha: “Do doja të kishte rënë në zjarr”.
Herën e fundit ai foli publikisht vitin e shkuar.
Bëhej fjalë për Shtetin Islamik.
“Unë jam mysliman dhe ju siguroj: Nuk ka asgjë islamike të vrasësh njerëz të pafajshëm në Paris, San Bernardino ose kudo në botë,” thuhej në një deklaratë.
“Myslimanët e vërtetë e dinë se dhuna e pamëshirshme e xhihadistëve shkon kundër fesë sonë”.
Ali mbeti deri në fund siç ishte gjithmonë: Një hero. MAPO
KOHA JONË SONDAZH

