Muller i jep 3 pikë Bajernit, por përmes kontestimeve
Bayern Munchen vuan në përballjet me Augsburg, por arrin të fitojë në minutat e fundit, falë edhe një 11-metërshi. Suksesi i skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola erdhi me përmbysje, pasi miqtë realizuan të parët me Esseein, duke e mbyllur pjesën e parë të ndeshjes në avantazh 1-0. Barazimi i përkohshëm i bavarezëve erdhi me anë të Levandovski, që finalizoi një aksion të ndërtuar nga ai vetë, ndërsa në fund përfitoi nga topi i mbetur përpara portës pas goditjes së Muller. Një 11-metërsh i diskutueshëm në minutën e 90-të në favor të Bayernit, vendosi fatet e këtij takimi. Thomas Muller merr përsipër ekzekutimin dhe realizon golin e fitores 2-1. Rrjeta e pestë sezonale në katër ndeshje për sulmuesin gjerman. Në ndeshjet e tjera humb Bayer Leverkusen në shtëpi. Skuadra e “Aspirinave”, e drejtuar nga Schmidt u mposht 1-0 nga Darmstadt, skuadra e rikthyer këtë vit në Bundesligë. Goli i Aytac Sulu pas vetëm tetë minutave lojë, i dha Darmstadt suksesin e parë në elitën e futbollit gjerman, prej 15 majit të vitit 1982. Sukses shënon edhe Borussia Dortmund në fushën e Hannover. Pas avantazhit të vendasve me Sobiech, verdhezinjtë përmbysën shifrat me 11-metërshin e Aubameyang dhe golin e Henrik Mkhitaryan në harkun e nëntë minutave. Në fraksionin e dytë të lojës, Hannover barazoi përkohësisht shifrat me Sobiech, por autogoli i Felipe dhe një tjetër penallti e realizuar nga Aubameyang vulosën fitoren 4-2 të Borussia Dortmund.
Bundesliga – Sot
Bajer Leverkusen – Darmstadt 0-1
Bajern M.-Augsburg 2-1
Hanover-B. Dortmund 2-4
Hertha-Shtutgart 2-1
Ingolstadt-Volsburg 0-0
KOHA JONË SONDAZH

