Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare Sandro Mazzola, legjenda e Interit
Sandro Mazzola, simboli i Interit dhe një prej legjendave të futbollit italian, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Mazzola kaloi gjithë karrierën e tij te Interi, me të cilin fitoi katër tituj kampionë në Itali, dy Kupa të Kampionëve dhe dy Kupa Ndërkontinentale. Në vitin 1965 u shpall golashënuesi më i mirë i Serie A me 17 gola, ndërsa në vitin 1971 u rendit i dyti në garën për Topin e Artë, pas Johan Cruyff.
I njohur me nofkën “Mustaqja”, Mazzola ishte një nga figurat kryesore të Interit të madh të viteve ’60. Me fanellën e kombëtares italiane, ai u bë gjithashtu një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit të vendit.
Karriera e tij u shoqërua gjithmonë me hijen e babait, Valentino Mazzola, kapitenit legjendar të Torinos. Megjithatë, Sandro arriti të ndërtonte një emër të madh në historinë e futbollit, duke u kthyer në një simbol të përjetshëm të Interit.
Pas tërheqjes nga futbolli, Mazzola vijoi të angazhohej si drejtues dhe komentator sportiv. Interi e kujtoi si “një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë, jo vetëm të historisë zikaltër”. Lamtumirë, Sandro Mazzola, një prej emrave që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit italian.

