Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Kombëtares, Esat Bushati
Futbolli shqiptar ka marrë një lajm të trishtë këtë të enjte. Është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare Esat Bushati, ish-futbollist i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi shkodran, i cili përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të saj.
Bushati ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Vllazninë gjatë viteve ’40-’60, ndërsa më pas ka veshur edhe fanellën e Partizanit dhe të Kombëtares shqiptare. Ai kujtohet si një prej mbrojtësve të spikatur të brezit të tij.
“Vllaznia shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 97-vjeçare të ish-futbollistit të klubit tonë, Esat Bushati, i cili ka dhënë një kontribut të madh për fanellën në vitet ’40-’60. Përpos karrierës me Vllazninë, ai ka luajtur me sukses edhe për Partizanin dhe Kombëtaren shqiptare, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të atyre viteve”, thuhet në njoftimin e klubit.
Homazhet në nderim të Esat Bushatit do të zhvillohen të premten, nga ora 10:00 deri në 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
“I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Esat Bushati!”, përfundon mesazhin klubi i Vllaznisë.

KOHA JONË SONDAZH

