Ndaj Serbisë rikthehet Meha titullar, Hysaj dhe Berisha largojnë presionin
Trajneri i ekipit përfaqësues shqiptar të futbollit, Gianni de Biasi, tashmë i ka të qarta idetë e tij lidhur me faktin se cilët lojtarë do të zbresin në fushë, në ndeshjen e së enjtes ndaj Serbisë, ndeshje që do të luhet në “Elbasan Arena”.
De Biasi pritet të bëjë vetëm një ndryshim për ndeshjen kundër Serbisë, krahasuar me ndeshjen e fundit. Në vend të Ermir Lenjanit pritet që të aktivizohet titullar mesfushori Alban Meha, i cili po shkëlqen në kampionatin turk, ku edhe ka shënuar edhe dy gola, një prej të cileëe kundër Gallatasarait.
Pjesa tjetër e formacionit pritet të jetë e njëjtë ashtu sikurse edhe në ndeshjet e fundit, me dallim të Elseid Hysajt, i cili tashmë është rikthyer nga dëmtimi dhe pritet të luaj në vend të Berat Xhimshitit.
Formacioni i mundshëm::
Berisha- Hysaj, Cana, Ajeti, Agolli- Xhaka, Kukeli, Abrashi – Gashi, Meha- Cikalleshi.
Etrit Berisha: Besojmë shumë, te fitorja me Serbinë
Portieri Etrit Berisha e cilëson sfidën e 8 tetorit ndaj Serbisë vetëm si një ndeshje futbolli, ose si një takim që duhet fituar në fushë. I vetëdijshëm për rëndësinë e përballjes në “Elbasan Arena”, gardiani kuqezi premton maksimumin nga kuqezinjtë, në fushë.
“Si unë ashtu edhe i gjithë ekipi jemi të fokusuar vetëm te futbolli, kështu që do mundohemi të japim maksimumin aty. Për ne është shumë e vlefshme kjo ndeshje, sidomos fitorja do të jetë diçka shumë e madhe. Kështu që do të bëjmë më të mirën sikurse kemi bërë deri më tani dhe do mundohemi të bëjmë gjithçka të mundur për ta fituar ndeshjen”.
Fanella e përfaqësueses është përgjegjësi dhe krenari. Në atë që cilësohet momenti historik për futbollin Shqiptar, objektivi është i qartë: fitorja dhe kualifikimi në Europianin “Francë 2016″.
“Për mua sa herë që kam luajtur me kombëtaren, përgjegjësia ka qenë e madhe. Edhe në këtë rast kështu ndodh, është një përgjegjësi por edhe kënaqësi. Neve është shumë e rëndësishme vetëm fitorja dhe vetëm atë mendojmë. A besoj te kualifikimi Francë 2016? Normalisht që po. Jemi duke bërë gjithçka që është e mundur dhe jemi duke besuar dhe shpresuar te kualifikimi”.
Pasi mbeti shqiptari i vetëm në ekipin e Lazios, Berisha tregon edhe bisedat me kolonisë serbe të ekipit të Serisë A, të përbërë nga mesfushori Milinkoviç-Saviç, mbrojtësi Basta dhe sulmuesi Đorđeviç. – “Me serbët e Lazios? Kemi folur me ata vetëm si shokë, asgjë më shumë”.
Elseid Hysaj: I njohim serbët, nuk jemi në presion
Ai është padyshim njeriu i momentit në Kombëtaren shqiptare. Në vetëm pak javë Elseid Hysaj fitoi besimin e stafit teknik të Napolit dhe u shndërrua në idhullin e tifozëve të gjigantëve të Serisë A. Mbrojtësi i është bashkuar përfaqësueses pas suksesit ndaj Milanit në “San Siro”, ndërsa tani duket i mësuar në përballjet me futbollistë të mëdhenj.
-“Unë si të gjithë lojtarët i njohim futbollistët serbë, pasi ata nuk janë lojtarë të thjeshtë, por luajnë luajnë në ekipet më të mëdha në Europë. Janë një skuadër shumë e fort, ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe ti mbulojmë sa më shumë që të mundemi, për të mos u lënë shumë mundësi. Parashikime për ndeshjen nuk kam, pasi aty mund të ndodhë gjithçka dhe nuk mund të parashikohet”.
Përsa i takon ndeshjes, Elseid Hysaj garanton se skuadra nuk është aspak në tension. Përgatitjet vijojnë si për çdo ndeshje tjetër të mëparshme në kualifikueset e Euro 2016.
“Është një ndeshje si të gjitha që kemi luajtur deri më tani. Serbia nuk ka asgjë më tepër se Portugalia apo Armenia. Po përgatitemi si çdo ndeshje, po analizojmë si në çdo ndeshje mundësitë që mund të krijojë Serbia, në mënyrë që të jemi në gjendje ti ndalojmë. Presion nuk ka. Njerëzit mund të thonë çdo gjë nga jashtë, por ata nuk e kuptojnë sa rëndësi ka ndeshje si ne që jemi pjesë e ekipit. Kështu që thjesht jemi duke u stërvitur dhe duke u përgatitur për ndeshjen pa presion.”
Nëse tifozët bëjnë llogaritë për kualifikimin e ëndërruar në një eveniment madhor, mbrojtësi i djathtë kërkon që ndeshjet të merren me radhë. Megjithatë, Hysaj e ka të qartë rëndësinë e rezultatit më 8 Tetor.
“Nuk kemi bërë llogari, sepse ndeshjet i marrim me radhë dhe nuk mendojmë për sfidat e ardhshme. Sa më shpejt ta mbyllim grupin aq më mirë është, kështu që shpresojmë të luajmë mirë dhe të fitojmë.”
KOHA JONË SONDAZH

