“Ndizet” sot Europiani, Spanja dhe Franca betejë për të arritur në finalen e Berlinit

Tashmë ka mbetur shumë pak dhe super dueli mes Spanjës dhe Francës është afër. Në stadiumin “Allianz Arena”, dy skuadrat mbërrijnë me humore të ndryshme.

Nga njëra anë gjejmë Spanjën e De La Fuentes, e cila pasi mposhti Gjermaninë e Nagelsmann në kohën shtesë është favorit për të fituar trofeun. La Roja është e vetëdijshme për forcën e saj dhe këtë duhet ta tregojë edhe sonte në mbrëmje. Spanjollëve nuk u kanë munguar golat dhe loja e mirë gjatë gjithë kampionatit Europian, por do të kenë tre mungesa me peshë: Carvajal dhe Le Normand të pezulluar dhe Pedri i dëmtuar. Trajneri spanjoll do të luajë me vendosjen 4-3-3.

Formacioni i mundshëm: Unai Simón, Jesus Navas, Nacho, Laporte, Cucurella, Olmo, Rodri, Fabián Ruiz; Yamal, Morata, Nico Williams.

Duke e krahasur nga ndeshja e fundit Jesus Navas rikthehet titullar si ndaj Shqipërisë, Nacho në qendër dhe Olmo që e nis nga minuta e parë pas mungesës së Pedrit. Asgjë nuk ndryshon në sulm, me të njëjtën treshe të rreshtuar si ndaj kombëtares gjermane.

Franca e Didier Deschamps edhe pse nuk ka shkëlqyer deri më tani, i ka të gjithë elementët për të bërë keq. Francezët, në fakt, arritën deri në çerekfinale me vetëm tre gola të shënuar, falë nje penalltie dhe dy autogolave. Kylian Mbappe ende nuk ka shkqlyer edhe për shkak të një dëmtimi që ka pasur në hundë.

Deschamps pritet të luajë me vendosjen 4-3-3, me Maignan në portë, Koundé, Upamecano, Saliba, Theo Hernandez në mbrojtje, Kanté, Tchouameni, Rabiot në mesfushë dhe Dembelé, Kolo Muani, Mbappé në sulm. Në sulm, balotazh mes Kolo Muanit dhe Thuram, me sulmuesin e PSG-së që duket më në avantazh, ndërsa Griezmann do ta nisë nga pankina. /Rozalb Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP