“Në Afrikë nuk rrinë kaq shumë në kafene si në Shqipëri”
Bakari Nimaga, futbollisti afrikan i Skënderbeut, është pjesë e rëndësishme e këtij ekipi, që ka dominuar futbollin shqiptar.
Futbollisti nga Mali, në një intervistë për Panorama Sport thotë se jeta ka qenë e vështirë, pasi atje ka punuar edhe në market sepse kishin vështirësi financiare.
Tani familja e tij është e lumtur.
“Po, janë shumë të lumtur, sepse para shumë vitesh kur unë linda, ata po kalonin një periudhë shumë të vështirë ekonomike dhe kemi bërë një jetë vërtet të vështirë. Nuk ka qenë e thjeshtë, ata kanë sakrifikuar shumë për mua. Në moshën 15-vjeçare u largova për në Afrikën e Jugut me ndihmën e një çifti nga Gjermania që njoha në Mali. Ata më panë duke luajtur futboll dhe, më pas, më telefonuan duke më thënë se “ke talent dhe mund të bëhesh një lojtar i mirë futbolli”. Ata më ndihmuan derisa unë e realizova ëndrrën time dhe tani gjithçka po shkon mirë. Janë vërtet njerëz të mirë dhe u jam mirënjohës. Janë familja ime e dytë,” thotë Nimaga.
Ai shprehet se i pëlqen shumë Korça dhe njerëzit tregohen të dashur me të.
Megjithatë mendon se Shqipëria është ndryshe nga Mali.
“Po, është shumë ndryshe, edhe si kulturë. P.sh, në Mali njerëzit nuk rrinë kaq shumë nëpër kafene. Në Mali, njerëzit janë të zënë, kurse këtu në Korçë ne dalim shpesh për kafe, ka kaq shumë gjëra për të bërë këtu”.
KOHA JONË SONDAZH

