Në ditën e 106-vjetorit, Tirana ndalet në barazim përballë Laçit
Tirana dhe Laçi kanë ndarë pikët në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, me takimin që përfundoi në barazim 2-2. Sfida u luajt në një ditë simbolike për klubin bardheblu, i cili festoi 106-vjetorin e themelimit.
Takimi shërbeu si prova e fundit për të dyja skuadrat përpara nisjes së sezonit të ri të Kategorisë Superiore, duke u dhënë trajnerëve mundësinë të testojnë gjendjen e ekipit dhe alternativat në dispozicion.
Tirana ishte skuadra që kaloi e para në avantazh falë golit të Redon Xhixhës, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0.
Në fraksionin e dytë, Laçi reagoi dhe riktheu baraspeshën me golin e Stafës. Bardheblutë gjetën sërish avantazhin me Kishin, por kurbinasit nuk u dorëzuan dhe barazuan për herë të dytë me Kalajn, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Pavarësisht se bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, të dy ekipet treguan ritëm dhe intensitet, në prag të nisjes së kampionatit.
Pas kësaj sfide, Tirana dhe Laçi mbyllin fazën përgatitore dhe tani e gjithë vëmendja është te java e parë e Superiores. Laçi do ta nisë sezonin në fushën e tij përballë Elbasanit, ndërsa Tirana do të udhëtojë për t’u përballur me kampionët e Egnatias në transfertë.
KOHA JONË SONDAZH

