Nelson Hysa bën për spital rivalin norvegjez: Tani dua një ndeshje të denjë!
Nelson Hysa vazhdon serinë e pathyeshmërisë në ring. Boksieri shkodran i peshave të rënda regjistroi fitoren e 25-të në karrierën profesioniste, duke mposhtur me nokaut norvegjezin Thomas Narmo dhe duke ruajtur titullin WBO.
Hysa nuk i dha asnjë mundësi rivalit për të surprizuar. Pas një raundi të parë të kontrolluar nga shqiptari, gjithçka u mbyll shumë shpejt në të dytin. Vetëm 36 sekonda pas nisjes së raundit të dytë, Hysa goditi fuqishëm Narmon, i cili përfundoi në tapet. Norvegjezi arriti të ngrihej, por gjyqtarët dhe stafi i tij vendosën se nuk ishte në gjendje të vijonte përballjen.
Kështu, Hysa mori një tjetër fitore me K.O., duke çuar në 23 numrin e nokautëve në karrierën e tij. Rekordi i shkodranit mbetet perfekt: 25 fitore, asnjë humbje dhe asnjë barazim.
Fuqia e goditjes ishte e tillë që Narmo u pa të largohej nga arena me ndihmën e maskës së oksigjenit. Pas përfundimit të duelit, Hysa nuk e fshehu ambicien për t’u përballur me emra më të mëdhenj të kategorisë së rëndë. Shkodrani kërkoi publikisht një rival të denjë dhe vuri në shënjestër gjermanin Agit Kabayel.
“Kam një rekord 25-0 dhe duhet të luftoj për një titull. Dua një boksier të fortë, një kampion. Kërkova Agit Kabayel sepse shumë prej tyre po largohen”, deklaroi Hysa për DAZN.
Sfida nuk mbeti pa përgjigje. Kabayel, i cili ishte i pranishëm në Londër, iu përgjigj shqiptarit me të njëjtën monedhë, duke e ftuar të vijë në Gjermani.
“Eja në Gjermani, jam gati. Ai bëri një performancë kundër një kundërshtari që ne nuk e njihnim, por tani kërkon të ndeshet me mua. Për mua do të ishte një luftë e lehtë. Nëse nuk ka një emër tjetër përreth, mund të përballemi këtë vit ose vitin tjetër”, u shpreh Kabayel.

KOHA JONË SONDAZH

