Neuer: Jam pak i irrituar, nuk më ndodhte te Bayerni prej 9 vitesh
Manuel Neuer në një intervistë për gazetën “Bild” u shpreh se ka mbetur i zhgënjyer nga fakti që nga klubi kanë rrjedhur informacione për detajet e marrëveshjes së rinovimit të kontratës, me aktualen që skadon në vitin 2021.
“Jam pak i irrituar. Jam pjesë e Bayernit prej nëntë vjetësh dhe kurrë nuk kam qenë i padrejtë me klubin. Por gjithnjë e më shumë po shfaqen detaje në media për negociatat midis drejtuesve të klubit dhe agjentit tim, informacione që jo gjithmonë korrespondojnë me realitetin. Unë nuk e kam njohur Bayernin të tillë.
Gjithmonë në diskutimet tona ka qenë thelbësor sinqeriteti, bazuar në besimin dhe besnikërinë e ndërsjellë. Nëse disa aspekte specifike fillojnë të shfaqen në shtyp, është diçka që ndikon në imazhin tim dhe që mund të shkaktojë dëm. E kuptoj që një kontratë e re pesëvjeçare nuk do të ishte realiste dhe në moshën time nuk e di nëse do të qëndroj në nivel të lartë deri në moshën 39-vjeçare.
Ajo që dua është thjesht një marrëveshje që është e kënaqshme për të gjithë dhe për ta arritur këtë duhet që drejtuesit të pajtohen me disa kushte të caktuara. Kohëzgjatja e kontratës së trajnerit Flick është gjithashtu e rëndësishme për mua”, tha Neuer.