Nevil Dede akuza drejtuesve të Tiranës: Morën Gilberto-n nga plazhet e Brazilit
Edhe pas shkarkimit të trajnerit Shkëlqim Muça, nën drejtimin e dyshes provizore Egbo-Gvozdenoviç, bardheblutë nuk shkuan dot më larg se barazimi 1-1 në Pukë, në fushën asnjanëse, ku u përballën me Vllazninë. Goli i Arbrit në minutat e fundit u ngriu buzëqeshjen kryeqytetasve, që rritën distancën me kreun dhe minimizuan shanset për të përmbushur objektivin madhor. Tirana njihet si një prej ekipeve tradicionale të vendit që është bazuar kryesisht tek lojtarët vendas. Ish-mbrojtësi dhe trajneri Nevil Dede, shpërthen në akuza për drejtuesit e klubit. Gjatë emisionit “Ora Skaner”, përmes lidhjes telefonike, ai theksoi: – “Ekipi i Tiranës nuk është pronë e vetëm i një individi. Ajo është e të gjithëve, e atyre tifozëve, e qytetarëve të qytetit të madh të Tiranës. Te ky ekip nuk po funksionojnë shumë gjëra. E para ka të bëjë me merkaton, pasi janë afruar lojtarë, që kanë qenë të panevojshëm tek ekipet e tyre të mëparshme. Shembull rasti i Gilberto, që ka ardhur nga plazhet për te Tirana. Këta lojtarë, aktualisht nuk e meritojnë dhe nuk e ndiejnë përgjegjësinë që duhet të veshin fanellën bardheblu. Por duhet të marrin përgjegjësitë e veta ata që janë në krye të ekipit dhe që i kanë afruar këta futbollistë indiferentë ndaj fanellës bardheblu. Nuk mund ta vësh fajin gjithmonë mbi trajnerin apo lojtarët, por tashmë duhet të vihet faji tek ata persona që e meritojnë. Ne shqiptarët themi që peshku qelbet nga koka, e tillë është edhe situata te Tirana, pasi nga drejtuesit vjen e keqja e kësaj skuadre.” Ish-mbrojtësi dhe trajneri i Tiranës ka pasur shpesh marrëdhënie të tensionuar dhe problematike me presidentin aktual të kësaj skuadre, Refik Halili. Gjithsesi, në fillim të këtij sezoni Halili ndërtoi një ekip me pretendime për titull, por duket se Tirana do të ketë sërish të vështirë për të rikthyer trofeun e munguar prej 7 sezonesh.
KOHA JONË SONDAZH

