
Gary Neville ka lëshuar akuza të forta ndaj disa futbollistëve të Manchester United, duke i cilësuar joprofesionistë dhe duke i fajësuar për rezultatet zhgënjyese të skuadrës. Ish-kapiteni i “Djajve të Kuq” beson se lojtarët e kanë humbur respektin për trajnerin Michael Carrick, ndërsa e ardhmja e këtij të fundit në pankinë është gjithnjë e më e pasigurt.
Humbja 3-0 ndaj Bournemouth në “Old Trafford”, pas disfatës 4-1 ndaj Comos, ka shtuar presionin mbi Manchester United dhe trajnerin e tij. Rezultatet negative kanë nxitur kritika të shumta, ndërsa Neville ka drejtuar gishtin nga sjellja dhe përkushtimi i disa lojtarëve. Duke folur në podkastin e Sky Sports, ish-mbrojtësi anglez pretendoi se futbollistët nuk kanë qenë të sinqertë me trajnerin.
“Ata luajtën me të, apo jo? E mashtruan për disa muaj. Po, vërtet e mashtruan. Ka disa prej tyre që nuk sillen në mënyrë mjaftueshëm profesionale. Disa nuk flenë në orarin e duhur, nuk ushqehen siç duhet dhe nuk e kanë Manchester United në mendje gjatë gjithë ditës. Ata nuk jetojnë për këtë klub ashtu siç duhet të bëjnë futbollistët profesionistë. Janë bërë arrogantë dhe disa prej tyre nuk vlejnë asgjë”, u shpreh ai me tone të ashpra.
Ish-kapiteni i United u ndal edhe te marrëdhënia mes Carrickut dhe lojtarëve, duke përmendur komentet e Bruno Fernandes si një shenjë shqetësuese për gjendjen brenda skuadrës.
“Ai nuk ka arritur të nxjerrë më të mirën nga këta lojtarë dhe ata janë kthyer kundër tij. Nëse Bruno e ka kritikuar publikisht me ato deklarata, imagjinoni çfarë mund të thuhet prapa skenave. Dhe nëse këto janë fjalët e kapitenit, imagjinoni çfarë ndodh në dhomat e zhveshjes kur askush nuk i dëgjon. Kjo është alarmuese”, theksoi Neville.
