Neymar dëmtohet sërish rëndë dhe mbyll para kohe sezonin te Santos
Santos përballet me një tjetër goditje të rëndë në një sezon tashmë dramatik. Ylli i skuadrës, Neymar, pritet të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë pas një dëmtimi të meniskut në gjurin e majtë, duke rrezikuar të mos rikthehet më në lojë gjatë vitit 2025. Lajmi u raportua nga gazeta prestigjioze braziliane Globo, sipas së cilës gjendja e sulmuesit është më serioze sesa u mendua fillimisht.
Neymar kishte ndier shqetësime menjëherë para përballjes së javës së 35-të të Serie A braziliane kundër Internacionalit, çka e detyroi të mos grumbullohej. Në fillim, stafi mjekësor shpresonte në një rikuperim të shpejtë, por ekzaminimet e mëvonshme zbuluan një dëmtim shumë më të thellë.
Në këtë sezon, lojtari ka zhvilluar 25 ndeshje me Santosin në të gjitha kompeticionet, duke shënuar shtatë gola dhe dhënë një asist. Kontrata e tij me klubin skadon në fund të vitit 2025, ndërsa vlera e tij aktuale në treg, sipas Transfermarkt, llogaritet rreth 11 milionë euro.
Santos po kalon një nga momentet më kritike në historinë e tij dhe renditet në vendin e parafundit të kampionatit, duke rrezikuar realisht edhe një herë tjetër rënien nga kategoria elitare e futbollit brazilian.
KOHA JONË SONDAZH

