Nga Bernardo Silva te Kessie, Juventusi po punon për goditje me kosto zero në verë
Merkatoja mund të jetë mbyllur, por te Juventusi puna nuk ndalet. Në “shtëpinë” bardhezi, në Continassa, drejtuesit kanë nisur lëvizjet për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, duke u fokusuar te një strategji gjithnjë e më e rëndësishme: lojtarët me kontratë në skadim, që mund të firmosin falas në verë.
Në kushtet kur klube si Juventusi duhet të tregojnë kujdes me bilancin dhe të shmangin operacione të kushtueshme, tregu i parametrave zero shihet si mundësia më e mirë për të shtuar cilësi dhe alternativë në skuadër.
Sipas burimeve pranë klubit, kërkimi i parë është i orientuar te një qendërmbrojtës i majtë, i cili të rrisë konkurrencën në repart dhe të luftojë për një vend titullari me Kelly, duke mbajtur nivelin e skuadrës sa më të lartë. Në këtë drejtim, Juventusi ka hedhur sytë te Marcos Senesi, mbrojtësi argjentinas që pritet të mbyllë kontratën me Bournemouth më 30 qershor.
Në repartin e krahëve, një emër që po fiton terren është Zeki Çelik. Lojtari turk, në largim nga Roma, shihet si një profil i përshtatshëm për disa arsye: është tashmë i ambientuar në Serie A, e njeh kampionatin dhe ka treguar se mund të bëjë diferencën. Edhe aspekti financiar i shkon për shtat Juventusit, pasi Çelik aktualisht përfiton rreth 2 milionë euro në sezon, një shifër e përballueshme për bardhezinjtë.
Lista e emrave të lirë është e gjatë dhe tërheqëse. Një nga objektivat më prestigjiozë është Bernardo Silva, i cili pritet të largohet nga Manchester City. Portugezi do të sillte cilësi mes linjave, eksperiencë ndërkombëtare dhe peshë në ndeshjet e mëdha, ndaj Juventusi e konsideron një operacion që duhet analizuar me kujdes.
Në mesfushë, ëndrra e madhe mbetet Sandro Tonali, por Juventusi po monitoron edhe alternativa të tjera. Mes emrave që po ndiqen është edhe Franck Kessié, për të cilin kanë nisur të qarkullojnë lëvizje dhe sinjale konkrete në prapaskenë.
KOHA JONË SONDAZH

