Nga Di Gregorio te David, Juventus duhet të largojë një formacion të tërë
Juventus po hyn në fazën vendimtare të merkatos, me klubin torinez që tashmë është fokusuar te largimet për të krijuar hapësirën dhe të ardhurat e nevojshme për lëvizjet e radhës në merkato.
Pas sigurimit të shërbimeve të Jhon Lucumí dhe thuajse të Guglielmo Vicario, bardhezinjtë kanë nevojë të sistemojnë një numër të konsiderueshëm lojtarësh që nuk janë pjesë qendrore e projektit të trajnerit Luciano Spalletti.
Në portë, situata më e diskutuar është ajo e Michele Di Gregorio. Gardiani nuk ka marrë oferta konkrete deri më tani, ndërsa interesi i Juventusit për Vicario shihet si një sinjal se hierarkia në portë mund të ndryshojë.
Në mbrojtje, ndër emrat që mund të largohen janë Federico Gatti dhe Juan Cabal. Ky i fundit mund të përfundojë te Bologna, ndërsa Gatti është një futbollist që pëlqehet nga Napoli, me trajnerin Max Allegri që e njeh mirë nga eksperienca e tij e mëparshme te Juventusi.
Në listën e largimeve ndodhet gjithashtu Daniele Rugani, i cili prej kohësh nuk konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të klubit.
Edhe mesfusha pritet të ketë ndryshime të rëndësishme. Arthur mbetet një prej lojtarëve që Juventusi dëshiron të sistemojë, ndërsa e ardhmja e Teun Koopmeiners është gjithashtu në pikëpyetje. Holandezi nuk ka bindur plotësisht që prej transferimit në Torino dhe mund të largohet nëse mbërrin oferta e duhur. Për momentin, megjithatë, nuk ka interes konkret për të.
Një tjetër emër në listën e lojtarëve që pritet të largohen është Fabio Miretti, i cili gjithashtu nuk ka arritur të bindë plotësisht gjatë aventurës së tij me fanellën bardhezi.
Ndërkohë, largimi i Nico Gonzalez duket gjithnjë e më i mundshëm. Sulmuesi argjentinas, i cili sezonin e kaluar u huazua te Atletico Madrid, pëlqehet sërish nga trajneri Diego Simeone. Megjithatë, deri tani dy klubet nuk kanë gjetur marrëveshjen përfundimtare.
Në repartin ofensiv mbetet për t’u zgjidhur edhe çështja e Jonathan David. Sulmuesi kanadez nuk konsiderohet ndër zgjedhjet kryesore të Spallettit, por dëshiron të qëndrojë në Torino dhe të luftojë për një vend në formacion. Konkurrenca, megjithatë, është rritur ndjeshëm pas afrimeve të Kolo Muani dhe Ekathor.
KOHA JONË SONDAZH

