Nga Italia drejt Anglisë? Kristjan Asllani tërheq vëmendjen e klubit të Premier League
Mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe i Interit, Kristjan Asllani, vijon të jetë një nga emrat më të përfolur në merkaton e verës. Së fundmi, klubi anglez Hull City ka shprehur interes konkret për ta afruar në skuadër.
Sipas raportimeve të gazetarit të merkatos Nicolò Schira, drejtuesit e Hull City synojnë ta transferojnë Asllanin në formën e huazimit, duke përfshirë në marrëveshje edhe të drejtën e blerjes në fund të sezonit.
Megjithatë, Interi nuk duket i gatshëm të pranojë këtë formulë. Klubi zikaltër preferon që çdo marrëveshje të përfshijë një detyrim blerjeje, në mënyrë që transferimi i mesfushorit shqiptar të jetë përfundimtar nëse plotësohen kushtet e parashikuara në kontratë.
24-vjeçari mbetet një nga lojtarët që po ndiqet me interes në këtë merkato, ndërsa disa klube kanë monitoruar situatën e tij pas sezonit të kaluar.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Hull City do të pranojë kërkesat e Interit dhe do të arrijë një marrëveshje që do t’i hapte rrugën transferimit të Kristjan Asllanit në futbollin anglez.
KOHA JONË SONDAZH

