Nga kufiri i kaluar ilegalisht në kapiten të Shqipërisë, Lorik Cana rrëfen historinë që i ndryshoi jetën

Një vizë e refuzuar për në Angli, një kufi i kaluar ilegalisht dhe një provë te PSG-ja. Lorik Cana ka rrëfyer një prej episodeve më të pazakonta të fillimit të karrierës së tij, një histori që, sipas ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, i ndryshoi përgjithmonë jetën. Në një intervistë për Federatën Shqiptare të Futbollit, në rubrikën “Legjendat Flasin”, Cana është kthyer pas në kohë, në vitet kur familja e tij jetonte në Zvicër pas largimit nga Kosova për shkak të luftës.

Cana ishte vetëm 7 vjeç kur familja u vendos në Zvicër. Pas përfundimit të luftës, statusi i tyre si emigrantë politikë dhe leja e përkohshme e qëndrimit i vendosën përballë detyrimit për t’u kthyer në Kosovë. Pikërisht në këtë periudhë të pasigurt për të ardhmen e tij, futbollit iu hap një derë e madhe.

Në moshën 16-vjeçare, Cana mori një ftesë nga Arsenali për të zhvilluar një provë në Londër. Ftesa vinte nga vetë trajneri i atëhershëm i klubit anglez, Arsène Ëenger. Për një talent të ri që ëndërronte të bëhej futbollist profesionist, kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme. Por ëndrra u ndal përpara se të niste.

Swiss Digital Desktop Reklama

Cana dhe familja e tij u paraqitën në ambasadë për të marrë vizën, por kërkesa u refuzua.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ajo ftesë erdhi dhe ishte si një ëndërr për të bërë diçka në një klub të madh”, kujton Cana, duke përshkruar vështirësitë me të cilat përballej në atë periudhë.

Por refuzimi i vizës për Anglinë nuk e mbylli rrugën e tij. Drejtuesit e Lozanës, ku Cana kishte nisur të aktivizohej, i siguruan një tjetër mundësi, këtë herë në Francë, te Paris Saint-Germain.

Problemi ishte i njëjtë: Cana nuk kishte dokumentet e nevojshme për të udhëtuar. Në moshën 16 vjeç e gjysmë, ai ndërmori një hap ekstrem. Nga zona e Gjenevës, kaloi kufirin ilegalisht dhe udhëtoi drejt Francës.

“Mua më hipën në makinë dhe kalova kufirin në të zezë, në Gjenevë. Isha 16 vjeç e gjysmë, më hipën në tren në Lyon dhe shkova në Paris”, rrëfen ish-kapiteni i kuqezinjve.

Në Paris, talenti shqiptar arriti të bindë drejtuesit e PSG-së. Prova rezultoi e suksesshme dhe klubi francez dëshironte ta mbante në ekip, pavarësisht se mësoi më pas për problemet e tij me dokumentet.

Cana ishte i gatshëm të qëndronte, por kishte një kusht: nuk dëshironte të largohej nga familja. Prindërit e tij ishin kthyer në Kosovë pas luftës dhe ai nuk donte ta niste i vetëm një jetë të re në Francë.

“Kur shkova në Paris e ndjeva që shumë pak gjëra do shkonin keq. Ai kalimi i kufirit është ajo që më ndryshoi jetën”, tregon Cana.

Ajo provë do të shënonte fillimin e një karriere të madhe në futbollin europian. Pas PSG-së, Cana veshi fanellat e Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazios dhe Nantes, duke u kthyer në një prej futbollistëve shqiptarë më të afirmuar në arenën ndërkombëtare.

Por kapitulli më i rëndësishëm do të ishte ai me Kombëtaren shqiptare. Cana zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej liderëve të skuadrës kuqezi. Ai regjistroi 94 paraqitje me Kombëtaren dhe shënoi një gol, ndërsa për vite me radhë mbajti fanellën me numrin 5 dhe shiritin e kapitenit.

Kulmi i aventurës së tij me Shqipërinë erdhi në vitin 2016, kur kuqezinjtë u kualifikuan për herë të parë në historinë e tyre në një Kampionat Europian. Në “Francë 2016”, Cana ishte një prej figurave qendrore të skuadrës që shkroi një nga faqet më të rëndësishme të futbollit shqiptar.

Në rrëfimin e tij për FSHF-në, ish-kapiteni flet gjithashtu për përgjegjësinë e të qenit lider, marrëdhënien me shokët e skuadrës dhe ndryshimet që kanë shoqëruar Kombëtaren ndër vite.

Por historia e Canës nuk ndalet te futbolli. Pas tërheqjes nga sporti, ai ka vijuar të merret me projekte të ndryshme, ndërsa një prej pasioneve të tij është edhe historia dhe arkeologjia.

Mes futbollit europian dhe fanellës kuqezi: Rrëfimi i Lorik Canës në "Legjendat flasin"

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?