Nga Vlahovic te Milik, dëmtimet i kanë kushtuar mbi 100 milionë euro Juventusit
Nga viti 2021 e deri më sot, asnjë klub i Serie A nuk ka paguar një çmim kaq të lartë për shkak të dëmtimeve sa Juventus. Jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në atë ekonomik. Sipas raportimit të Tuttosport, bardhezinjtë kryesojnë një renditje të veçantë dhe aspak të lakmueshme për koston totale të lojtarëve që kanë munguar për shkak dëmtimesh gjatë pesë sezoneve të fundit.
Në planin sportiv, mungesat e vazhdueshme kanë dëmtuar identitetin e skuadrës, vazhdimësinë dhe rotacionin. Në planin financiar, ato kanë ndikuar drejtpërdrejt në investime të rëndësishme. Rasti i Douglas Luiz është domethënës: i blerë për rreth 50 milionë euro dhe me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon plus bonuse, mesfushori qëndroi jashtë fushave për 111 ditë sezonin e kaluar, duke humbur 18 ndeshje.
Dušan Vlahović, pasi ishte rikthyer protagonist me gola vendimtarë, u ndal në ndeshjen ndaj Cagliari për shkak të një dëmtimi të rëndë në aduktorin e majtë. Parashikimet flasin për rreth 100 ditë mungesë dhe mbi 20 ndeshje të humbura. Ndërkohë, edhe Arkadiusz Milik, pasi u rikthye pas më shumë se një viti jashtë fushave, u detyrua të ndalet sërish për shkak të një problemi tjetër fizik.
Sipas edicionit të pestë të “Hoëden’s Men’s European Football Injury Index”, Juventusi ka regjistruar koston e përllogaritur më të lartë në kampionat për lojtarët e padisponueshëm: 97.71 milionë euro në total gjatë pesë viteve të fundit, mesatarisht gati 20 milionë euro për sezon. Kjo nuk është një zë i drejtpërdrejtë në bilanc, por një vlerësim i përftuar duke shumëzuar pagën ditore të futbollistëve me ditët e mungesës. Vetëm sezonin e fundit, fatura arriti në 16.75 milionë euro, me një mesatare prej 24 ditësh mungesë për lojtar.
KOHA JONË SONDAZH

