Ngec rinovimi i Vinicius Jr me Realin, 4 ekipe të mëdha “fërkojnë duart”
E ardhmja e Vinícius Júnior te Real Madrid vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa negociatat për rinovimin e kontratës nuk kanë sjellë ende një marrëveshje mes palëve. Sulmuesi brazilian ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij aktuale me klubin madrilen, ndërsa bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit po zgjasin prej muajsh pa ndonjë zhvillim konkret.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, pengesa kryesore lidhet me kërkesat financiare të lojtarit. Vinicius dëshiron të përfitojë një pagë të barabartë ose më të lartë se ajo e Kylian Mbappé, një kërkesë që presidenti i klubit, Florentino Pérez, dhe drejtuesit e “Los Blancos” nuk duket se janë të gatshëm ta pranojnë.
Vetë Pérez ka komentuar së fundmi situatën e brazilianit, por pa dhënë garanci për vazhdimësinë e tij në “Santiago Bernabéu”. “Nëse më pyesni mua, unë dua që ai të vazhdojë me ne. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë”, deklaroi presidenti madrilen.
Ndërkohë, raportet për të ardhmen e Viniciusit janë të ndryshme. Disa burime pretendojnë se negociatat do të rifillojnë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa të tjera sugjerojnë se lojtari mund të qëndrojë deri në fund të kontratës dhe më pas të largohet si lojtar i lirë.
Në këtë çështje pritet të ketë ndikim edhe trajneri i ri i madrilenëve, José Mourinho, i cili sapo ka marrë drejtimin e skuadrës dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen për të ardhmen e brazilianit.
Situata kontraktuale e Viniciusit ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha europiane. Në Angli, interesim të fortë kanë shfaqur Manchester City dhe Liverpool, të cilët janë në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv.
Nga ana tjetër, edhe Bayern Munich po monitoron nga afër zhvillimet, ndërsa në garë përfshihet edhe Paris Saint-Germain. Klubi francez, pavarësisht strategjisë së fundit të fokusuar më shumë te forca e grupit sesa te emrat e mëdhenj, vazhdon ta konsiderojë Viniciusin si një objektiv të rëndësishëm për të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH
Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?
Results
Vota totale: 3777

